Rivalët e E.League vlerësojnë Skënderbeun

E publikuar: 28/08/2015 15:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Beshiktashi do të jetë një prej 3 skuadrave me të cilat do të ndeshet Skënderbeu në fazën e grupeve të Europa League. Formacioni nga Stambolli ka një emër të madh në arenën europiane dhe paraqet një shkallë shumë të lartë vështirësie për të besuarit e Mirel Josës. Këtë vere Beshiktashi afroi në skuadër sulmuesin gjerman Mario Gomez dhe portugezin Ricardo Quaresma, ndërsa trajneri Senol Gunes mund të mbështetet edhe te lojtarë të tjerë të njohur si Andreas Beck, braziliani Rodolfo por edhe te mesfushori i Kombëtares Turke Gokhan Tore.

Por edhe pse kanë një skuadër të një niveli shumë më të lartë se Skënderbeu, drejtuesit e Beshiktashit i vlerësojnë maksimalisht kampionët e Shqipërisë. Në një deklaratë nga Montecarlo pas hedhjes së shortit një prej antarëve të bordit drejtues të Beshiktashit Erdal Torunogullari u shpreh me fjalët më të mira për Skënderbeun.

“Ne i njohim shumë mirë Sportigun e Lisbonës dhe Lokomotivën e Moskës, ndërsa për Skënderbeun nuk kemi shumë informacion, por fakti që ata kanë mbërritur deri këtu do të thotë se kanë një skuadër të mirë. Do të vlerësojmë maksimalisht cdo kundërshtar pasi duam të shkojmë larg në Europë këtë sezon”.

Për shortin foli edhe mesfushori i Lokomotivës së Moskës, Aleksei Miranchuk, i cili shkëputi një koment edhe për Skënderbeun.

“Ne dëshironim të ishim në të njëjtin grup me Borussian e Dortmundit por gjithsesi jemi të kënaqur me shortin. Do të kemi përballë një skuadër nga Shqipëria që shumë mund ta konsiderojnë si një kundërshtar të lehtë, por unë mendoj se në këtë fazë të kompeticionit nuk ka ekipe të dobëta”./ss/