Rama nuk kursen batutat për ambasadorin Hill: Kujdes kur flisni se na kupton çfarë themi

E publikuar: 02/09/2022 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shquhet për batutat e tij me politikanët.

Në pjesën më të madhe të takimeve me homologë ndërkombëtarë dhe jo vetëm, Rama nuk i ka kursyer ato.

I tillë është edhe rasti konkret, ku Rama ka “ngacmuar” ambasadorin e ShBA-ve në Serbi, Christofer Hill.

Në fjalën e tij në samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd, Rama i ka thënë pjesëmarrësve të kujdesen se çfarë thonë, pasi ambasadori e kupton gjuhën që flasin.

“Jam i lumtur të shoh këtu përballë ambasadorin Chris Hill, i cili si të gjithë amerikanët e suksesshëm që vijnë në këtë rajon di dhe gjuhën e tij, di dhe gjuhën tonë, prandaj kur flisni në prani në tyre bëni kujdes se na kuptojnë jo vetëm në anglisht, por na kuptojnë dhe kur flasim gjuhën tonë.

Jam po ashtu shumë i kënaqur që këtu sot me ne janë edhe dy miq shumë të rëndësishëm për ne, që përfaqësojnë dy vende po kaq të rëndësishme për rajonin tonë, ministri i jashtëm i Turqisë, miku ynë dhe miku im i dashur Mevlüt Çavuşoğlu, të cilin dua ta falënderoj për praninë e tij. Turqia është një partner i pazëvendësueshëm strategjik i Shqipërisë, por edhe aleat i gjithë proceseve pozitive në rajonin tonë si dhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, miku ynë  Peter Szijjarto, që po ashtu dua ta falënderoj.

Ashtu sikundër, e kemi bërë publike në Samitin e shkuar, ne ftuam edhe ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, që për arsye objektive dhe pamundësie, me ndjesën elegante nuk mundën të ishin këtu, por do të jenë përsëri të ftuar dhe shpresoj të jemi të gjithë së bashku të pranishëm në Samitin e ardhshëm në Tiranë”, tha Rama./abcnews.al