
Idesë së kryetarit Lumir Abdixhiku për një ‘qeveri tranzicionale’ u janë përgjigjur shpejt e shpejt nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nga kjo parti e kanë hedhur poshtë një ide të tillë, duke ia kujtuar Abdixhikut pozicionin e tij, shkruan infosot.com
I pari që reagoi pak minuta pas idesë së Abdixhikut ishte ish-zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu.
Ai e ka quajtur anti-kushtetues propozimin e të parit të LDK-së.
“Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjeter”, shkroi ai.
Edhe Hekuran Murati e thumboi propozimin më të fundit të LDK-së për “qeveri tranzicionale”, duke thënë se “askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni.”, shkruan infosot.com
Ai duke marrë shembull Gjermaninë, se e zgjodhi kancelarin me votim të fshehtë, goditi opozitën që s’po e lejon një zhvillim të tillë në Kosovës. Anipse, në Kosovë kemi rregullim kushteutes tjetër.
Edhe deputeti Dimal Basha së bashku me Armend Mujën, shkruajtën statuse refuzuese ndaj idesë së Abdixhikut.
Në një postim në Facebook, Basha tha se për LVV-në është e pamundur bashkëpunimi me “të vjetrën”.
“Ne i ofrojmë, hajde vazhdojmë bashkë me një qeveri stabile me 76 deputetë, ky thotë, ‘jaaa s’mundem pa PDK-në e AAK-në!’ Kryeministri e zgjati dorën e bashkëpunimit, dhe Lumiri zgjedhi me refuzu! Ai po propozon të vjetrën me e mbajtë ende gjallë. Ajo është e pamundur, por edhe e papranueshme. Ti vazhdo me ta, ne jo! VVazhdojmë”, shkroi ai.
E, Armend Muja i tregoi LDK-së se sa duhet të rritet për ta mbërri PDK-në dhe se humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit, shkruan infosot.com
Ai ka thënë se LDK ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit, me 20 deputetë.
Sipas Mujës, ajo duhet të rritet për 20 % që ta mbërrijë PDK-në (24 deputetë) e cila është sa gjysma e fituesit të zgjedhjeve LV (48 deputetë).
Muja ka shkruar në “Facebook” se humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit. Prandaj edhe vetëm Ramush Haradinaj i është përgjigjur Lumir Abdixhikut.
“LDK ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit me 20 deputetë. Ajo duhet të rritet për 20 % që ta mbërrijë PDK-në (24 deputetë) e cila është sa gjysma e fituesit të zgjedhjeve LV (48 deputetë). Humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit. Prandaj edhe vetëm Ramush Haradinaj i është përgjigjur Lumir Abdixhikut”, ka shkruar Muja.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar krijimin e një qeverie të tranzicionit, si përgjigje ndaj ftesës së Albin Kurtit për një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së.
Çka propozoi Lumir Abdixhiku?
Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar për herë të tretë dhe përfundimisht ofertën e kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim politik.
Në dritën e krizës së thelluar për konstituimin e Kuvendit, dhe pas pranimit të një tjetër letre nga Kurti që përmbante lutje të përsëritura për bashkëpunim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ritheksoi prerazi qëndrimin e partisë.
Duke iu referuar “stagnimit serioz të vendit” në katër vitet e fundit, Abdixhiku tha se LDK “e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Vetëvendosje.”
“LDK-ja, siç e dini, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja, për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin katërvjeçar të vendit — e kam fjalën për rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura, mosrespektimin e vendimeve të institucioneve dhe polarizimin e thellë shoqëror — e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.”
Në vend të kësaj, ai tha se LDK propozon një qeveri të tranzicionit me afat të caktuar si të domosdoshme për të dalë nga kriza dhe si një hap që sipas tij, kërkon përgjegjësi, unitet dhe vetëdije të lartë politike nga të gjitha forcat parlamentare.
“Sot vendi është në krizë të thellë – në krizë të thellë institucionale, kryesisht për shkak të dështimit të partisë së parë të krijojë partneritete politike për krijimin e një shumice. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë, LDK-ja e konsideron të domosdoshme, të rëndësisë nacionale për Republikën e Kosovës. Në përputhje me këtë, LDK-ja dhe unë si kryetar i saj, propozojmë nisjen e një procesi të ri politik, dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri, edhe unitet, dhe mbi të gjitha kërkon vetëdije të lartë politike në vend. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ, me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit. Pra, LDK-ja kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit – një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Program, agjendë të qartë shtetërore, të politikës së jashtme dhe të brendshme.”