Presidenti afgan fton talibanët në tavolinën e diskutimit

E publikuar: 28/02/2018 15:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, ka propozuar njohjen e talibanëve si grup politik legjitim, si pjesë e procesit që mund të dërgojë në bisedimet për paqe dhe në dhënien fund të më shumë se 16 viteve luftime.

Ghani e ka bërë këtë propozim më 28 shkurt në një konferencë të shteteve dhe organizatave të përfshira në të ashtuquajturin Procesin e Kabulit.

Ky proces ka për qëllim krijimin e një platforme për negociata me militantët.

“Liderë talibanë dhe të gjithë anëtarët, vendimi është në dorën tuaj. Pranojeni paqen, ejani në tavolinën e diskutimit, dhe le ta ndërtojmë këtë shtet përsëri”, ka thënë ai.

Ghani u ka ofruar militantëve një armëpushim, lirim të të burgosurve, pasaporta, një zyrë në Kabul apo një vend të tjetër, dhe lirimin nga sanksionet.

Presidenti afgan po ashtu ka thënë se do të jetë gati për të pranuar një rishikim të kushtetutës, në kuadër të arritjes së marrëveshjes me talibanët.

Në kthim të kësaj, militantët duhet të njohin qeverinë e Kabulit dhe të respektojnë sundimin e ligjit, ka thënë Ghani.

“Ne jemi duke bërë këtë ofertë pa parakushte, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje për paqe”, ka thënë ai duke insistuar se Kabuli, “do të konsiderojë qasjen e talibanëve në bisedimet për paqe”.

Konferenca një-ditore në Kabul është ndjekur nga më shumë se 20 shtete dhe disa organizata ndërkombëtare.

Talibanët nuk kanë qenë të ftuar.

Ky propozim vjen pasi qeveria e Kabulit e përkrahur nga Perëndimi i ka luftuar talibanët dhe grupe të tjera militante, prej tërheqjes së trupave të NATO-s më 2014.

Strategjia e re amerikane për Afganistanin, e prezantuar në muajin gusht, synon t’i dërgojë rebelët në tavolinën e negociatave.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar edhe 3,000 trupa të tjerë në këtë shtet, për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar në misionet kundërterrorizmit, por edhe ka shtuar sulmet kundër militantëve.

Aktualisht, SHBA-ja ka rreth 14,000 persona me uniformë në Afganistan.

Talibanët refuzojnë të bisedojnë drejtpërdrejt me qeverinë afgane, të cilën e quajnë “kukullë të regjimit”, dhe në vend të saj kërkojnë të flasin me Shtetet e Bashkuara, që kanë kontribuuar më së shumti me dërgimin e trupave në luftën e këtij vendi.

“Do të ishte ndihmesë në gjetjen e një zgjidhje nëse Amerika pranon kërkesat legjitime të popullit afgan dhe i përcjell shqetësimet dhe kërkesat e saj për diskutim tek Emiratet Islamike, përmes një kanali paqësor”, kanë thënë talibanët përmes një deklarate në këtë javë.

Uashingtoni insiston se qeveria e Kabulit duhet të ketë rol udhëheqës në negociata.

Qeveria afgane dhe talibanët kanë mbajtur bisedime për paqe më 2015, mirëpo i kanë prishuar marrëdhëniet pothuajse menjëherë.

Gjatë takimit në Kabul, Ghani ka bërë thirrje për bisedime me Pakistanin në nivel të dy qeverive, duke thënë se Kabuli është gati për të “harruar të kaluarën e hidhur”, dhe të fillojë një fazë të re të marrëdhënieve me Islamabadin.

Pakistani gjendet para një presioni në rritje nga zyrtarët afganë dhe ata amerikanë, të cilët kërkojnë marrjen e hapave kundër militantëve që veprojnë në këtë shtet.

Islamabadi kundërshton strehimin e grupeve militante që kryejnë sulme në Afganistan.

Përgatiti: Krenare Cubolli