Deri në 5000 persona të angazhuar, Aliti flet për përfitimet ekonomike nga Lojërat Mesdhetare

E publikuar: 15/04/2026 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i përgjithshëm i Komiteti Olimpik i Kosovës, Besim Aliti, ka shpalosur planet për krijimin e një akademie të veçantë për përgatitjen e të rinjve që do të angazhohen në organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke theksuar se kjo iniciativë synon të mbulojë nevojat në burime njerëzore.

Duke folur për konceptin e akademisë dhe nevojat organizative, ai theksoi se fokusi do të jetë te të rinjtë që sapo kanë përfunduar studimet dhe nuk kanë përvojë pune, të cilët do të trajnohen dhe më pas do të kenë mundësi punësimi në strukturat organizative. Sipas tij, numri i përgjithshëm i personave që do të angazhohen është shumë i madh.

“Ne do të bëjmë me një bashkëpunim ndërkombëtar një aftësim, një akademi për të aftësuar të rinjtë e Kosovës dhe këto janë fresh bachelor… qëllimi është të edukojmë në fusha specifike të Lojërave Mesdhetare dhe të ndajmë 360 persona kombëtarë dhe 40 ndërkombëtarë… minimumi i stafit që na nevojitet është 800 deri në 1000 të punësuar full time dhe 2500 deri në 3000 vullnetarë. Pra jemi duke folur për të mobilizuar rreth 5000 persona për lojëra mesdhetare”, ka deklaruar Aliti në “SportCast”

 

Në vijim, ai ka theksuar edhe ndikimin ekonomik që pritet të kenë këto investime, duke vlerësuar se ato nuk duhet parë si shpenzime, por si një qarkullim që rikthehet në ekonominë e vendit përmes punësimit dhe turizmit.

“Absolutisht po. Nuk është që kostot që krijohen janë vetëm kosto… të gjitha ato investime si në infrastrukturë dhe burime njerëzore kthehen në biznesin dhe popullin e Kosovës përmes tatimeve. Gjithashtu duhet të llogarisim edhe një fluks të madh të turizmit gjatë lojërave mesdhetare, që përbën të hyra indirekte për ekonominë”, ka shtuar ai./KP