LDK mohon spekulimet për ndërrime pozicionesh, konfirmon angazhimin për zgjedhjen e Presidentit

E publikuar: 15/04/2026 16:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, përmes një reagimi publik, i cilësoi si “absolutisht të pavërteta” shkrimet që sugjerojnë marrëveshje për ndryshim rolesh politike. Ai theksoi se partia mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të saj dhe rolit në ndërtimin e institucioneve funksionale dhe përfaqësuese.

Sipas tij, LDK vazhdon të jetë “parti e shpresës dhe e besës”, duke u angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për stabilitet institucional dhe zhvillim demokratik.

“LDK dhe Kryetari Abdixhiku janë në bisedime për t’i dhënë vendit President. Shkrimet nē media për ndërrime të pozicioneve janë të absolutisht të pavërteta”, shkroi Haziri.

Haziri shtoi gjithashtu se përvoja ka dëshmuar që një parti e vetme apo një udhëheqës i vetëm nuk janë të mjaftueshëm për të arritur objektivat politike të Republikës së Kosovës, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të gjerë politik.

Ndërkohë, edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjeve institucionale, përfshirë procesin e zgjedhjes së Presidentit.