Porosinë nga G7-a Kosova e interpreton si dëshmi se marrëveshja me Serbinë është prioritet global

E publikuar: 08/04/2019 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas gati 12 vjetësh, Kosova sërish është rikthyer në komunikatat e shtatë vendeve më të fuqishme të globit.

G7-ta, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve me anë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.

Ky po shihet si lajm i madh në Kosovë, raporton KTV.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, thotë se kjo komunikatë tregon se Kosova është prioritet jo vetëm evropian, por global.

Sipas tij, kjo është një ndërmarrje e re për ta përmbyllur shtet-ndërtimin, prandaj thotë se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë rast.

Zëvendëskryeministri ka folur edhe për komunikimin që ka pasur me komisionarin Johannes Hahn, pas obstruksioneve të Serbisë në takimin rajonal që do të duhej të mbahej në Prishtinë muajin e kaluar.

Hahn, në përgjigje, ka akuzuar edhe Kosovën edhe Serbinë për provokime të ndërsjella, ndërsa Hoxhaj thotë se Kosova duhet t’i raportojë secilat veprime të Serbisë.

Përveç veprimeve muajin e shkuar në Prishtinë, serbët penguan ditë më parë pjesëmarrjen e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe përfaqësuesit të ICK-së në Samitin Digjital në Beograd.