Policia vazhdon aksionin — Sekuestrohen edhe 39 aparate në Prishtinë, 311 të sekuestruara vetëm sot

E publikuar: 08/01/2022 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia vazhdon aksionin — Sekuestrohen edhe 39 Kriza energjetike që ka kapluar vendin ka bërë që ekzekutivi të nxjerrë vendim për ta ndaluar prodhimin e kriptovalutave në Kosovë. Vetëm sot, Policia e Kosovës sekuestroi mbi 300 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në të gjithë vendin, shkruan Express.

Veriu ishte cak i një aksioni të policisë në mëngjesin e sotëm. Përveç që nuk paguhet rryma, në komunat e veriut fitohet nga ajo.

Pajisjet për prodhimin e kriptovalutave harxhojnë rrymë më shumë se çdo pajisje tjetër shtëpiake. Kjo gjë nuk po i pëlqen qeverisë, andaj ekzekutivi ndaloi që këto pajisje të përdoren për atë çka janë krijuar.

Në Leposaviq, një person kishte instaluar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave. Pronari që prodhonte kriptovaluta për bursat botërore, pajisjet i kishte instaluar në ahur. Aksioni prodhoi arrestimin e një personi.

“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka njoftuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili jo rrallë herë gjatë qeverisjes së Kurtit u doli në mbrojtje veprimeve të ekzekutivit, sot tha se këto pajisje të sekuestruara në veri shpenzojnë rrymë mesatarisht sa 500 shtëpi.

“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive. Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati.

Por, Policia nuk u ndal vetëm me këtë aksion. Fort më mirë nuk qëndron as kryeqyteti. Në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës” janë konfiskuar 39 pajisje tjera.

Në kohën kur po kryhej kontrolli, 35 nga këto pajisje ishin duke punuar për të prodhuar kriptovaluta.

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, thuhet në komunikatën e PK-së