Pika kritike e marrëveshjes Kosovë-Serbi: “Ambasadat” zor që bëhen nëpër qeveri

E publikuar: 10/03/2023 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Muret e rrënuara të objektit që ka mbetur në mes të Prishtinës, kanë jo pak histori.

Pas tyre, në kohën e Perandorisë Osmane, thuhet se qëndruan zyrtarët serbë, që erdhën për të shërbyer si konsuj.

Zyrtarë serbë me pak a shumë pozitë të njëjtë ka edhe tash, por që zyrat ndërlidhëse mes Kosovës e Serbisë janë në kuadër të Bashkimit Evropian.

Kjo po pritet të ndryshojë me pikën tetë të Marrëveshjes së Brukselit. Ata planifikohet të qëndrojnë në objektin e Qeverisë së Kosovës e atë të Serbisë, njofton Klan Kosova.

E vendi që është caktuar të vendosen misionerët, sipas ish-ambasadorëve kosovarë, po thuhet të ndikojë edhe më në moszabtueshmëri të këtij neni.

“Për vetë faktin që në këtë nen thuhet se vendosja e tyre do të jetë në selitë e qeverive përkatëse, kjo nënkupton që kjo pikë është vështirë e realizueshme”, deklaroi Enver Buçaj, ish-ambasador.

“Nuk do të kemi ambasador, Serbia nuk na njeh si shtet, do te kemi vetëm një zyrtar me gradë diplomatike që nuk do të ketë asnjë efekt”, tha ish-ambasadori Edon Cana.

Megjithatë, sipas marrëveshjes 11-pikëshe të publikuar nga Bashkimi Evropian, çështjet e tjera praktike që lidhen me themelimin e misioneve në dyja shtete do të trajtohen veçmas.