Për 20 vjet produktet në Kosovë u shtrenjtuan 57 për qind, gati gjysma e pagave shkon në ushqim

E publikuar: 21/07/2022 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për 57 për qind janë shtrenjtuar për 20 vjet të gjitha kategoritë e produkteve dhe shërbimeve për të cilat mbledh të dhënat Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka bërë të ditur Ibish Asllani nga kjo agjenci, në emisionin “Sot” në KTV të enjten.

Sipas të dhënave të ASK-së, norma e inflacionit në vend, në muajin qershor të 2022-s në raport me qershorin e një viti më herët ka arritur në 14.1 për qind. Vetëm për një muaj, në qershor produktet në Kosovë kushtuan 1.5 për qind më shtrenjtë se maji.

Asllani ka thënë se matja bëhet për rreth 420 artikuj e shërbime në 14 komuna, vendbanime rurale e urbane e se në llogaritje përfshihen më shumë se 7000 çmime. Shtrenjtimit në përqindje i prijnë vajrat dhe yndyrat ushqimore me mbi 55 për qind shtrenjtim. Buka dhe drithërat janë shtrenjtuar 27.7 për qind, ndërsa mishi për 19 për qind. Qumështi, djathi e vezët janë shtrenjtuar për 22.3 për qind në krahasim me një vit më herët. Shtrenjtim të madh kanë pasur edhe lëndët djegëse me 33.6 për qind, ndërsa ngritja e çmimeve prek edhe perimet, sheqerin, kafenë, pijet joalkoolike e ato alkoolike, mirëmbajtjet e vendbanimeve dhe mobilet e orenditë.Nëse krahasohen çmimet e qershorit 2022 me ato të qershorit 2002, sipas Asllanit, ka shtrenjtim prej 57 për qind në të gjitha kategoritë e përfshira në matjet e ASK-së.

Sipas tij, që nga shkurti i vitit 2021 çmimet janë në ngritje, si pasojë e COVID-19 dhe tash e luftës në Ukrainë.

Në krahasim me vitin 2015, që merret për bazë në vitet e fundit, inflacioni në Kosovë tash është 23.1 për qind. Asllani ka thënë se në shifra të ngjashme janë edhe vendet e rajonit, por edhe të Bashkimit Evropian. “Ka shtete me inflacion më të ulët. Kosova është në nivel, por jemi të varfër dhe goditja është më e lartë për ne”, ka thënë ai.

Asllani po ashtu ka thënë se goditja vërehet edhe për shkak se nga 12 grupe të konsumit individual, 40 për qind e pagave në vend shpenzohen vetëm tek grupi i ushqimeve.“Gjërat më elementare i gjen këtu, bukën, pemët, perimet, mishin e qumështin. U takojnë atyre më të domosdoshme. Edhe 11 grupe të tjera dobësohen kur 40 për qind e mjeteve shkojnë tek ushqimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, për shkak të zhvillimit më të madh të bizneseve dhe shpërndarjes më të madhe që bëhet nga kryeqyteti, Prishtina është rajoni me çmimet më të përshtatshme.

Për të dhënat e korrikut, Asllani ka thënë se pritet të ketë lëvizje për shkak se tashmë janë vënë re ngritje të çmimit të bukës