PDK: Bahtiri dhe Rakiq u moren vesh për murin në Veri

E publikuar: 16/12/2016 08:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dega e PDK-së në Mitrovicë, nëpërmes një komunikate për medie, pas një konference të organizuar me gazetarë, ka akuzuar kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, se ka bërë marrëveshje me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, për ndërtimin e murit. Sipas PDK-së, këtë e ka konfirmuar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
“Ju kemi ftuar sot që të shpërfaqim të vërtetën skandaloze për ndërtimin e murit në veri të urës së Ibrit nga strukturat paralele serbe. E vërteta sa e dhimbshme dhe e tmerrshme është edhe e frikshme. Për ndërtimin e atij muri, që simbolizon ndarjen e Mitrovicës, janë marrë vesh kryetari Agim Bahtiri dhe homologu i tij në veri, Goran Rakiq. Duke u bazuar në këto zhvillime që kanë ndodhur në qytetin e Mitrovicës, Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës ka iniciuar thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, më datën 14 dhjetor 2016, për të shprehur shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve nëpërmjet një deklarate të përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend, lidhur me atë se çfarë po ndodh në pjesën veriore të Mitrovicës”, thuhet në komunikatën e PDK-së në Mitrovicë, për të shtuar:

“Por, fatkeqësisht iniciativa e GK-së së PDK-së u sabotua nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, dhe kryesuesi i Kuvendit me qëllim të fshehjes së marrëveshjeve të fshehta në mes të kryetari Bahtiri dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, kur dihet se më 9 dhjetor 2016, Agim Bahtiri deklaron për medie se ‘është arritur një marrëveshje për çështjen e murit në pjesën veriore të lumit Ibër. Ne kemi lejuar që të ketë 80 centimetra lartësi, por të jetë me shkallë, do të jetë shumë i bukur, do të ketë lule, sikur është edhe në pjesën e jugut’”. Këtë marrëveshje ndërmjet kryetarëve, Bahtiri e Rakiq, e ka konfirmuar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

“Kjo marrëveshje dhe tentimi i kryetarit Bahtiri që me kryetarin Rakiq të bëjë pazare në shkëmbimin e territoreve me pjesën veriore të Mitrovicës janë skandalet e radhës tepër të dëmshme jo vetëm për qytetarët e Mitrovicës, por edhe për gjithë Kosovën. Andaj, duke parë dëmet e vazhdueshme që po ua shkakton qytetarëve ky person i papërgjegjshëm dhe i padijshëm, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga ky person dhe rreziqet që mund të vijnë si pasojë e veprimeve të tij, duke parë se ky person nuk është i interesuar dhe nuk ka bërë asgjë në rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore dhe kthimin e qytetarëve në pronat e tyre e as në rindërtimin e xhamisë së Ibrit, duke parë se te ky person ka humbur besimi i qytetarëve dhe i partive politike për të bashkëqeverisur dhe tani Qeverisë me një pakicë politike, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që kryetarit Agim Bahtiri t’i ndalohet përfaqësimi i Mitrovicës në bisedime, që kanë të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës dhe ai të japë dorëheqje sa më parë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Degës së PDK-së në Mitrovicë, e cila u është shpërndarë medieve pas konferencën që PDK-ja ka mbajtur me gazetarë të enjten.

PDK-ja thotë se të gjitha ato që janë thënë janë faktuar përmes videove dhe audio-incizimeve.