
Gjykata Themelore në Prizren të mërkurën ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit M.G., i dyshuar për vrasjen e vajzës së tij, si dhe lëndimin e vajzës tjetër dhe të bashkëshortes.
Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se Departamenti i Krimeve të Rënda me gjyqtaren e procedurës, Shpresa Emra, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin M.G. (shtetas turk), për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale: “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer veprat penale, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprat penale, në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftim.
Gjykata gjithashtu duke marrë parasysh faktin se i pandehuri është shtetas turk dhe se nuk ka vendbanim të përhershëm në Republikën e Kosovës, ka vlerësuar se “caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare, dhe me lënien në liri, të pandehurit mund ti jepet rasti për arrati me qëllim të shmangies nga institucionet e drejtësisë”.
“Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencën së të pandehurit në procedurë hetimore, parandalimin që i pandehuri të arratiset apo të ndikojë në dëshmitaret dhe provat e rastit”, thuhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30 min, në Rr. “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15 – vjeçare, me mjet të mprehtë (thikë) të llojit “Bajonetë”, me ç ‘rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Më këto veprime, i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje theksohet se “i njëjti, me dashje tenton t’i privoj nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore”, dhe se “më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre”.
“Me këto, veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Personi i dyshuar, me inicialet M.G., sipas Prokurorisë, gjendet në ndalim 48 orësh nga data 06 maj 2025.