​Pamje tronditëse të Aleksandar Vulinit me emigrantët në kufi që shkaktuan zemërim në Serbi

E publikuar: 17/07/2022 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pasi ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin mori pjesë në Suboticë në aksionin për “ndalimin e kundërvajtjeve të kryera nga emigrantët”, i cili u krye nga një grup operativ me urdhër të tij, pati reagime nga opozita dhe shoqëria civile në Serbi.

Siç thuhet në njoftimin e MPB-së serbe, grupi operativ ishte i përbërë nga përfaqësues të Departamentit të Policisë Kriminale, Xhandarmërisë, Njësisë Speciale Anti-terror, Policisë Kufitare, Departamentit të Policisë, Sektorit të Kontrollit të Brendshëm, Agjencisë së Sigurisë e Inteligjencës dhe policia e Beogradit, Somborit, Suboticës dhe Kikindës.

Në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale, shihet trajtimi tejet çnjerëzor i emigrantëve.

Ata qëndrojnë gjunjëzuar në tokë, duart i kanë në pjesën e pasme të kokës dhe rreth tyre patrullojnë një turmë e personave të armatosur dhe të uniformuar, derisa kamerat regjistrojnë gjithçka.

Për këtë veprim çnjerëzor dhe poshtërues të ministrit të Brendshëm, i cili bëri një deklaratë mjaft raciste duke thënë se “Serbia nuk është parking për mërgimtarët”, ka reaguar nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.

“Dërgoni urgjentisht Vulinin për një ekzaminim psikiatrik! Dhe ndaloni këtë keqtrajtim të njerëzve! Ai po shkatërron vendin tonë me indiferencë ndaj njerëzve që po ikin nga mundimi i tmerrshëm i vendeve të tyre. Kështu u jepet drita jeshile e grupeve dhe patrullave të ndryshme naziste”, thuhet në reagimin e Tepiq në Twitter.

Një koment pak më të ashpër ka bërë drejtori i Institutit për Çështje Evropiane, Naim Leo Beshiri, i cili e ka quajtur Vulin racist dhe nacionalist.

“Një fundërrinë raciste, nacionaliste dhe homofobike! Ky është ai! Pronari i një partie të vogël që mban një ministri të madhe”, shkruan Beshiri.

Një koment të ashpër ka bërë edhe Ivan Videnoviq, profesor i asociuar në Universitetin e Beogradit, duke e krahasuar këtë trajtim të migrantëve me gjenocidin në Srebrenicë.

“Pse ta shikojmë ‘Quo vadis, Aida?’ kur mund ta realizojmë në kohë reale?”, ka reaguar Videnoviq.

Konventa për të Drejtat e Njeriut, e cila është gjithashtu në fuqi në Serbi në nenin tre, thotë se çdo torturë e individëve ose grupeve është e ndaluar.

“Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, trajtimit ose dënimit çnjerëzor ose poshtërues”, thuhet në konventë.