Pafuqia e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi

E publikuar: 08/12/2021 15:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklarata e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe shpërfaq asimetrinë e pozicionit të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë, si dhe është marrje përsipër e kompetencave joekzistuese, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Në një konferencë të përbashkët për media me Borrellin në Bruksel më 7 dhjetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që janë arritur në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit, por të cilën, siç tha ai, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar si marrëveshje jokushtetuese.

Por, Borrelli insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet, duke e vlerësuar Marrëveshjen për Asociacionin si më të rëndësishmen. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton themelimin e Asociacionit.

“Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrelli.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Asociacioni parashihet të ketë organe dhe strukturë organizative. Sipas marrëveshjes, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse. Sipas marrëveshjes, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, e arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.