Pacolli: AKR-ja do t’i bashkohet partisë që mund të krijojë shumicën shqiptare

E publikuar: 16/06/2017 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i shtabit zgjedhor nga Aleanca Kosova e Re, Rrahim Pacolli, ka thënë se AKR-ja do t’i bashkëngjitet partisë që e ka shumicën shqiptare, por nuk është i pajtimit që të bëjnë koalicion me PAN-in. Megjithatë ka shtuar se kryesia e partisë do të vendos në të ardhmen.

Ai ka thënë se i vetmi njeri që i ka fituar zgjedhjet është Albin Kurti dhe Vetëvendosje. Pacolli në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kanë arritur t’i kenë gjashtë deputetë.

“Unë mendoj që njeriu më i votuar në Kosovë është Albin Kurti. Edhe në këtë rast Vetëvendosje ka fituar me thënë të drejtën. AKR-ja ka koalicion me LDK-në, edhe ne nuk kemi vendosur për një gjë të tillë. Unë mendoj që kushdo qoftë që i ka mbi 61 ose 62 deputetë shqiptarë mund të bëjë Qeverinë. Qeveria me deputetë serbë nuk bëhet, nuk është qeveri stabile edhe nuk i kontribuon qytetarëve të Kosovës. Unë mendoj që na shkojmë kush i arrin me neve 61 deputetë që e ka shumicën absolute shqiptare në parlament. Bashkë me LDK-në mendoj që ne duhet të shkojmë edhe në opozitë ose me Vetëvendosjen të krijojmë qeverinë e re. Unë nuk jam dakord me shku me PAN-in. Normal që vendos kryesia në të ardhmen”, tha Pacolli.

Ai ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin që ka arrit AKR-ja, duke shtuar se nuk kanë qenë të organizuar mirë në disa regjione.

“Unë mendoj që mirë ka shkuar koalicioni me LDK-në, i kemi diku 5-6 deputetë informatat që i kam në terren. Pesë i kemi të sigurt po mund të jenë edhe gjashtë, kështu që rezultatet janë mirë. Kemi pasur dëshirë me qenë më mirë po nuk janë, nuk besoj koalicioni, organizimi në disa regjione që ka qenë pak i dobët, ky do të përmirësohet në të ardhmen”, tha Pacolli.

Ndryshe nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka dal e treta për nga renditja me 25.79 %, në vendin e dytë radhitet Lëvizja Vetëvendosje me 27.16 për qind dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma, ka dal e para me një rezultat prej 33.92 për qind.