Një grua në Itali mbush ullinj gjatë operimit në tru

E publikuar: 10/06/2020 17:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pacientët gjatë operimit në tru kanë ditur të luajnë me violinë ose kitarë, por askush deri tash nuk ka mbushur ullinj në këto momente të vështira.

Një 60-vjeçare italiane e ka bërë këtë gjatë largimit të tumorit nga pjesa e majtë e trurit.

Neurokirurgu në spitalin Riuniti të Anconas ka thënë se operimi dy orë e gjysmë “shkoi shumë mirë”.

Pacientja e tij kishte mbushur 90 ullinj për një orë.

Operimi me pacientët e zgjuar bëhet për të përcjellë më mirë hapësirat e trurit përgjegjëse për të parit, të lëvizjes apo të folurit. Për të ndihmuar kirurgët që të minimalizohet dëmtimi i mundshëm, pacientit mund t’i kërkohet të kryejë aktivitete të ndryshme.

Hapësira në të cilën ishte operuar pacientja që kishte mbushur ullinjtë kontrollon të folurit, memorien dhe lëvizjen e pjesës së djathtë të trupit. Neurokirurgu Roberto Rignani për agjencinë “Ansa” ka thënë se metoda e përdorur në këtë rast u ka mundësuar të monitorojnë pacientin përderisa kanë punuar në trurin e saj.

Tignani, që ishte pjesë e ekipit prej 11 personash, ka performuar në 60 operime me njerëz të zgjuar gjatë operimit në tru. Një pacient tjetër në këtë spital u kishte kërkuar të shikonte filma të animuar.

Përgatitja e ullinjve në Ascoli është shumë më e komplikuar. Specialiteti italian përbëhet nga ullinj të gjelbër të mbështjellë me topa mishi, me miell, vezë e thërrime buke./Koha.net/