Një ardhje e madhe shumë afër Kosovës, e zbulon Agim Ademi

E publikuar: 05/07/2025 09:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur gjerësisht për zhvillimet më të fundit në futbollin kosovar, përfshirë të ardhmen e trajnerit Franco Foda, hapjen ndaj lojtarëve të rinj, afrimin e Arijon Ibrahimoviçit te përfaqësuesja, mbështetjen ndaj klubeve vendore dhe formatin aktual të Superligës.

Në një intervistë për KosovaPress, Ademi zbuloi se trajneri Franco Foda ka refuzuar një ofertë marramendëse nga një klub i shteteve arabe, duke vendosur të vazhdojë angazhimin e tij me përfaqësuesen e Kosovës.

Ademi: Foda pati ofertë marramendëse por vendosi të qëndrojë te Kosova

“E vërtetë, Foda ka pas një ofertë nga klubi i shteteve arabe të cilën normalisht ka qenë ofertë jashtëzakonisht e mirë, ofertë e madhe për edhe për sportista, por sidomos për trajnerë. Fuda asnjëherë nuk ka thënë që ‘dua të shkoj’ kjo ka rrjedhë krejt prej menaxhmentit të tij, prej menaxherit dhe menaxhmentit të tij… Foda është treguar shumë profesional në raport me kontratën tonë dhe me ne. Ai tha që asnjëherë nuk kam thënë që po shkoj. Pyetja ime ka qenë a dëshiron të shkosh? Nëse dëshiron të shkosh më thuaj, sepse njerëz pa dëshirë nuk mbajnë në kombëtare dhe nuk është në rregull të qëndrosh pa dëshirë…Ai tha që unë realisht e kam edhe kontratën dhe obligohem me kontratë por nuk është se e kam pasur ndërmend të shkoj, përkundër ofertës së mirë që e kam”, theksoi fillimisht Ademi.

I pari i FFK-së, ka thënë se bashkë me stafin e trajnerëve po vazhdojnë të ndjekin futbollistët e rinj dhe se dera për të gjithë ata vazhdon të jetë e hapur te Kosova.

“Ne nuk i mbyllim dyert askujt. Çdo lojtar, që është i profilit dhe i plotëson kriteret për me qenë anëtar i një kombëtareje, kriteret të cilat janë të caktuara, sigurisht që na iu hapim derën dhe asnjëherë nuk i themi nuk mund të vish ose faktikisht mos hajde. Por shkojmë, flasim, e marrim, vjen në grumbullim, e sheh veten, e sheh momentin ku është edhe ne e shohim ku është… Ne i marrin ata të cilët janë më në formë për atë moment ose trajneri e vendos se kë e merr.”, shton Ademi.

Sa i përket ardhjeve të reja te Kosova, Ademi ekskluzivisht për KosovaPress ka zbuluar se janë në bisedime intensive për ofrimin e futbollistit të Bayernit, Arijon Ibrahimoviç.

Ademi: Ibrahimoviç dëshiron të vijë te Kosova, takohemi së shpejti

“Arijon Ibrahimoviçi është njëri nga ta edhe sigurisht që ne do t’i kemi edhe kontaktet tash shumë shpejtë edhe me të, me familjen e tij, domethënë me babain e tij, i cili është nga rajoni i Prizrenit, jeton në Prizren dhe sigurisht nëpërmjet edhe disa njerëzve të cilët ata vetë janë angazhuar për të ardhur Ibrahimoviçi në Kosovë. Do takohemi tash në kohën e pushimeve dhe të shohim si është”, bëri të ditur Ademi.

Në aspektin e futbollit të klubeve, Ademi ka theksuar se Federata e Futbollit të Kosovës është duke e mbështetur fuqishëm futbollin vendor, përfshirë edhe kategoritë e femrave dhe moshat, duke siguruar se asnjë klub nuk ka pasur probleme financiare për t’i zhvilluar garat.

“Absolutisht nuk ka krahasime këtu, as Shqipëria, secili e ka buxhetin e vet, politikat e veta, agjendat e veta edhe vazhdojmë. Kush e din që ne nuk japim më shumë, që s’kemi dhënë deri më tani më shumë. A e keni pa sa sponsorë i ka? Kosova i ka brendet më të madhe të sponsorëve, i ka tri banka, i ka kompanitë më të mëdha që i ka Kosova dhe kemi sponsor që nuk ka ligë që nuk e ka tani të krahasohet me secilin, ne nuk mundemi, po nuk ka ligë pothuajse që nuk kemi sponsorë, edhe ligat e femrave, edhe U17 e femrave edhe U21 i meshkujve që e kemi bërë, janë me sponsor. Përveç sponsorëve, domethënë federata kujdeset gjithmonë është kujdes, a keni dëgjuar që ndonjë klub ka vuajtur për ndonjë send, ose s’ka mundur t’i zhvillojë garat, nuk vjen në shprehje ajo punë”, theksoi Ademi.

Ai gjithashtu ka sqaruar se formati aktual i Superligës së Kosovës me 10 ekipe do të vazhdojë, pasi sipas tij, ky është modeli më i përshtatshëm, duke pasur parasysh kapacitetet dhe objektivat e pjesëmarrjes në Evropë.

“Absolutisht jo. Do të vazhdoj kështu, nuk kemi kapacitete. Kosova është vend i vogël edhe formati me dhjetë ekipe na konvenon shumë për faktin që ne shkojmë me katër dhjetë përqind të në Evropë. Nëse ne e rrisim domethënë me koeficientin katër dhjetë për qind, atëherë domethënë t’i bëjmë dymbëdhjetë katërmbëdhjetit, të shkojnë katër-shja, unë nuk e shoh që është mirë për klube, sepse për ne nuk e kemi problem të bëjmë skema të tabelave dhe të programeve e projekteve… Por, gjithsesi, unë mendoj që kjo faktikisht është liga që na është përshtatur më së shumti”, tha Ademi.

Në garat evropiane, Kosova përfaqësohet nga Drita, Ballkani, Prishtina dhe Malisheva. /A.Bytyçi