NISMA: PDK po planifikon votime kolektive në orët e mbrëmjes

E publikuar: 18/12/2016 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

NISMA për Kosovë, ka bërë të ditura disa parregullsi që sipas tyre po ndodhin në zgjedhjet e sotme në Drenas.

Dega e kësaj partie në Drenas, përmes një konference për media thanë se persona të Partisë Demokratike te Kosovës kanë tentuar të votojnë më shumë se dy herë, por edhe disa paregullësi të tjera.

Kjo është komunikata e plotë e NISMA-s:

Dega e Nismës për Kosovën në Drenas, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën shefi i shtabit të Nismës në Drenas, Mehdi Thaçi, ka folur për procesin e votimit në ditën e sotme në Drenas.

Shefi i shtabit të Nismës në Drenas, Mehdi Thaçi, tha se sot procesi zgjedhor deri në këtë kohë ka qenë i përcjellur me disa parregullsi të cilat i kemi bërë publike në momentin që na janë raportuar nga vëzhguesit tanë.

Presionet mbi qytetarët nga persona të PDK-së në fshatin Sankoc për të votuar aty ku ata duan, tentimet e disa personave për të votuar më shumë se njëherë janë përsëritur disa herë dhe në disa vendvotime, pastaj me dhjetëra qytetarë nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e tyre sepse nuk kanë qenë fare në listat e votuesve, në fshatin Nekovc një numër i theksuar i personave janë identifikuar se në duar kanë pasur gjurmë të sprejit, dhe këta gjithë anëtarë të PDK-së.

Gjate gjithë ditës së sotme qarqet e PDK-së janë duke u munduar në forma të ndryshme për të ndikuar tek votuesit për të votuar kandidatin e PDK-së.

Po ashtu, Mehdi Thaçi, tha se në bazë të informacioneve tona në teren, në fshatin Gllanasellë, është duke u përgatitur për votim kolektiv në orët e mbrëmjes, kjo edhe për faktin se është qendra e vetme ku deri tani kanë votuar një numër shumë i vogël në krahasim me qendrat tjera.

Mehdi Thaçi po ashtu tha se në bazë të informacioneve që kemi, në shkollën e mesme teknike “Fehmi Lladrovci”, në klasën ku anëtari i PDK-së, Adem Bucolli, është komisioner, vazhdimisht është duke lejuar persona për të votuar më shumë së një herë.

Edhe në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Terstenik, është ndërpre votimi, për arsye se PDK-ja ka filluar të dergj anëtarët e saj për të votuar më shumë se një herë edhe atë në mënyrë të dhunshme.

NISMA në Drenas, kërkon nga të gjithë ata që monitorojnë procesin zgjedhor në Drenas, duke përfshirë KQZ, KKZ, OJQ-të, të gjitha organizatat ndërkombëtare, e në veçanti Prokurorinë, që të monitoroj deri në fund procesin zgjedhor, në veçanti në Tërstenik, Gradic, Dobroshevc, Gllanasellë dhe Nekoc.