Ngërçi politik, Abdixhiku: Juristët tanë po përgatisin lëndën për interpretim në Kushtetuese

E publikuar: 03/07/2025 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se Lëvizja Vetëvendosje po kryen një akt kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ndryshimin e rendit të ditës, dhe me këtë rast ai shtoi se LDK-ja do ta dërgojë lëndën në Kushtetuese pasi që ta përgatitin juristët e kësaj partie.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se Lëvizja Vetëvendosje po kryen një akt kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ndryshimin e rendit të ditës, dhe me këtë rast ai shtoi se LDK-ja do ta dërgojë lëndën në Kushtetuese pasi që ta përgatitin juristët e kësaj partie.

Pas përfundimit të vazhdimit të seancës së 41-të, Abdixhiku, tha se do ta presin edhe pozicionin e presidentes pas takimeve të zhvilluara.

Ndërsa, për qëndrimin në sallë të Kuvendit nga PDK-ja, LDK-ja, e AAK-ja, Abdixhiku theksoi se kjo i takon deputetëve dhe në këtë mënyrë u përpjekën që të komunikojnë me popullin e Kosovës.

Abdixhiku: Juristët tanë po përgatisin një lëndë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese

“Po provojmë të bëjmë atë që i takon deputetëve, të flasin, debati është pjesë esenciale e një Republike Parlamentare. Sot ishte një përpjekje që të komunikojmë me ju dhe me popullin e Kosovës. Fjalimet e tilla me rëndësi për Kosovën do të ndodhin përkundër kapjes së madhe që partia e parë e ka bërë.. Kemi një akt të partisë më të madhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është hera e dytë që po përsëritet një akt i tillë. Juristët tanë po përgatiten për lëndën në Gjykatën Kushtetuese por edhe të presim pozicionin e presidentes sepse ajo ka një pozicion pas takimeve që i ka zhvilluar”, tha Abdixhiku.

Deputeti Abdixhiku tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, atëherë ndërpriten seancat konstituive.

Konstituimi i Kuvendit dështoi edhe për herën e 41-të. Vazhdimi i kësaj seance dështoi në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë qëndruar në sallën plenare edhe pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pas dështimit të 41-të për zgjedhjen e trupave të legjislativit, raporton KosovaPress.

Pa asistencë të administratës së Kuvendit dhe pa zërim adekuat, deputetët e partive që deri tani ishin në opozitë mbajtën fjalime në foltoren e Kuvendit. Të njëjtit akuzuan partinë që ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizjen Vetëvendosje, se po bllokon konstituimin e Kuvendit dhe po shkel Kushtetutën e vendit, sidomos pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për krizën politike. Pas përfundimit të deklarimeve të qëndrimeve të tyre, ata u larguan nga salla plenare.

Janë bërë më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por institucionet e reja ende nuk janë formuar si pasojë e krizës politike dhe dështimit për zgjedhjen e trupave të Kuvendit, çka do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re./A. Shala/