Në kërkim si kreu i bandës së trafikantëve shqiptarë, prokuroria e Ekuadorit lidh shkodranin Dritan Gjika me pastrimin e 31 milionë dollarëve

E publikuar: 18/04/2024 23:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e sotme (18 prill), prokuroria ekuadoriane ka ngritur akuzën për pastrim parash ndaj shkodranit Dritan Gjika dhe 4 personave të tjerë.

Dritan Gjika, i shpallur në kërkim si kreu i mafias shqiptare që operon në Ekuador, akuzohet se në bashkëpunim me 4 persona, Mario S, Carina E, Carlos G dhe Pablo H, kanë bashkëpunuar për pastrimin e mbi 31 milionë dollarëve të ardhura nga trafiku i drogës.

Nën hetim janë edhe shtatë kompani që dyshohet se janë krijuar për të justifikuar paratë e ardhura nga trafiku i drogës. Ndaj Gjikës dhe personave të tjerë në kërkim, gjykata ka caktuar sekuestrim të pasurive dhe llogarive bankare që kanë në Ekuador.

Shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të shtrenjta, banesa luksoze apo sipërfaqe toke nëpërmjet të ardhurave nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Hetimet zbuluan se kompanitë nën pronësi të Dritan Gjikës dhe personave të tjerë nën hetim, përdornin kampionët dhe kontejnerët për të trafikuar lëndë narkotike drejt vendeve të tjera.

Kujtojmë se javë më parë, Dritan Gjika shiti aksionet e një prej kompanive të tij në Ekuador, duke ia kaluar njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë./TCH