Ministri Lluka kërkon më shumë angazhim nga Bordi i Trepçës

E publikuar: 14/08/2018 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është takuar me Bordin Drejtorëve të Ndërmarrjes ‘Trepça’ Sh.A, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të Trepçës dhe mundësitë e përmirësimit të performancës në punë.

Gjatë këtij takimi janë trajtuar shqetësimet lidhur me rënien e prodhimit në Trepçë në vitet e fundit, me ç’rast u diskutuan edhe masat e mundshme afatshkurtra për rritjen e prodhimit që do të ndikonte në zhvillimin e gjithëmbarshëm të ndërmarrjes, thuhet në njoftimin për media.

Ministri Lluka kërkoi më shumë angazhim nga Bordi i Trepçës me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendje, ndërsa theksoi se mbështetja e MZHE-së nuk do të mungojë.

Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishte progresi i realizimit të marrëveshjes të Qeverisë me Sindikatën e Trepçës për asetet e kësaj ndërmarrje dhe benefitet sociale të minatorëve që dalin nga ajo.