Mijëra të vdekur në Kosovë, këto janë shifrat

E publikuar: 01/07/2017 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm gjatë vitit të fundit në Kosovë kanë vdekur 9 mijë e 246 persona.

Shqetësuese është numri i vrasjeve të dhunshme, ku vetëm gjatë vitit 2016, 41 vetëvrasje kanë ndodhur apo 21.8%, shkruan Indeksonline.

Nga këto vrasje të dhunshme që janë gjithsej 188 përfshihen vetëvrasjet, fatkeqësitë 128 dhe vrasjet 19.

Ajo çka vërehet në këto statistika është se tek të gjitha vdekjet e dhunshme dominojnë mosha 20-49 vjeç si të meshkujt, njëjtë edhe tek femrat.

Këto statistika janë evidentuar në raportin e Agjencisë Kosovare të Statistikave.

“Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në Regjistrat Themeltar të vdekjeve, për vitin 2016 kanë qenë  9246, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 8495, kurse  vdekje të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej  751” thuhet në raportin e statistikave.

Nga gjithsejtë vdekjet e raportuara të ndodhura vetëm në Kosovë, 4796 janë meshkuj apo 56.5% dhe 3699 janë femra apo 43.5%.

Ndërsa, sa i përket asaj se ku kanë ndodhur këto vdekje, shumica prej tyre kanë ndodhur në shtëpi, ku sipas statistikave mbi 50 për qind janë në shtëpi.

“46.3 % e rasteve të vdekjeve kanë ndodhur në institucione shëndetësore, ndërsa 52.5 % kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.2 % në vend tjetër” thuhet në raport.

Në anën tjetër, sipas komunës ku kanë ndodhur, Prishtina zë vendin e parë me 2696 raste të vdekjeve, vendin e dytë Prizreni me 908, të tretin Peja me 573 etj.

Sa i përket përkatësisë, shqiptarët marrin pjesë me 92.9%, shkruan Indeksonline.

Foshnjet e vdekura për  vitin 2016 kan qenë 199, dhe pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur është  2.3 %. meshkuj 116 apo 58.3 %, femra 83 apo 41.7 %

Sipas statistikave të fundit nga viti 2001 deri në vitin 2016, janë shënuar 935 raste të vetëvrasjes.