“Mësimdhënësi” tenton të sulmojë fizikisht kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

E publikuar: 05/09/2022 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mësimdhënësi tenton të sulmojë fizikisht kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka mbajtur një takim me mësimdhënës në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë, ku ishte prezent edhe përfaqësuesi i SBASHK-ut në nivel komunal së bashku me mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Dy nga arsimtarët prezent në mbledhje kanë kërkuar nga Jasharaj që të bëhet një listë ku do të votohet nëse mësimdhënësit janë pro apo kundër grevës aktuale në arsim.

Jasharaj ka garantuar që do të përfundojë grevën nëse shumica e mësimdhënësve kërkon që të veprohet në atë mënyrë.

Në përfundim të mbledhjes, një person më i moshuar që ishte prezent në mbledhje, i cili nuk dihet nëse është mësimdhënës me profesion, ka tentuar të sulmojë Jasharajn kur ai ishte duke dalë nga dera e klasës ku po mbahej mbledhja.

I menjëhershëm ishte reagimi i pjesëmarrësve në mbledhje, të cilët kanë larguar personin që sulmoi Jasharajn.

Para mediave, personi i moshuar tha se është kundër veprimeve të SBASHK-ut, duke e konsideruar Jasharajn “armik”.

Ai ka thënë se ka ardhur në mbledhje për mbesën e tij.

Policia nuk ka dhënë ende detaje rreth rastit.