Memli Krasniqi në Paris, pritet në Senat dhe në Ministrinë për Punë të Jashtme

E publikuar: 14/07/2023 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar Abelard Tahiri po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Paris të Francës ku kanë zhvilluar disa takime zyrtare në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë. Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falelënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, kreu i PDK-së Memli Krasniqi është takuar me Adrien Frier, ku diskutuan për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to.

“Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një Qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor”, ka thënë Krasniqi.