Mehmeti: Besoj se më 28 korrik marrim dritën jeshile për Kartonin e Gjelbër

E publikuar: 23/07/2022 09:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Më 28 korrik të këtij viti në Bruksel do të mbahet një takim, i delegacionit të Kosovës me Këshillin e Byrosë Evropiane, në të cilën do të diskutohet mundësia që Kosova të mund të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër në një formë tjetër alternative.

Për këtë një delegacion nga Kosova, ku do të jenë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku do të udhëtojnë për Bruksel ku më zyrtarët e Këshillit të Byrosë do të flasin për modalitetet se si Republika e Kosovës do të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti është optimist se ky takim do të nxjerrë në pah mundësitë që Kosova i ka për Kartonin e Gjelbër.

“Ne së bashku me zyrtarë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), do të shkojmë në Bruksel duke u prezantuar rezultatet konkrete të cilat i kemi arritur vitet e fundit, duke i pasur disa parakushte bazë se Kosova të mund të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër. Deri tani BKS-ja ka pasur shumë rezultate për të cilat janë vlerësuar pozitivisht nga akterë vendor e ndërkombëtar. Njëri ndër parakushtet është që BKS-ja të ketë marrëveshje dhe bashkëpunim me Byrotë e rajonit, për këtë BKS-ja ka avancuar në këtë drejtim. Kushti që është dashur ta plotësojë Byroja Kosovare e Sigurimit ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe për njohjen reciproke të policave të sigurimit me sa më shumë shtete. Kosova, aktualisht, ka marrëveshje të tilla me katër shtete të rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë”, tha guvernatori Mehmeti në një intervistë për RTKlive.

Një ndër kushtet kryesore të Byrosë së Kartonit të Gjelbër është se duhet që një vend të mos ketë më shumë se 5% vetura të pasiguruara.

“Ne kemi parë se së fundi në Kosovë janë 5% e veturave të paregjistruara dhe siguruara. Kjo është një arritje dhe nëse e krahasojmë me vendet të tjera jemi shumë mirë”, theksoi ai.Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në këtë intervistë ka folur edhe për zhvillimet ekonomike në vend deri më tani, duke vlerësuar se ardhja e mërgimtarëve do të rrit aktivitetin ekonomik.“Që nga shfaqja e pandemisë Covid19, në të gjitha shtetet aktiviteti ekonomik pati rënë në shumë sektor. Si BQK jemi munduar që me politikat tona të ruajmë stabilitetin ekonomik, kemi marrë disa vendime të cilat treguan rezultate”, tha ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka folur për rritje ekonomike për vitin 2022
Sipas tij vitin e kaluar rritja ekonomike e Kosovës, ishte mbi 10 %.Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të lartë gjatë vitit 2021, pas tkurrjes me të cilën u karakterizua në vitin 2020. Vlerësimet preliminare të ASK-së sugjerojnë se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 10.5 përqind në vitin 2021. Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik iu atribua përmirësimit të krizës shëndetësore dhe politikave mbështetëse financiare dhe fiskale”, tha ai për RTKlive.

Duke shtuar se komponentët që kontribuuan në rritjen e lartë të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021 ishin rritja e konsumit prej 7.8 përqind, rritja e investimeve prej 10.2 përqind por edhe rritja më e ngadalësuare deficitit të eksporteve neto (1.9 përqind).
Sa i përket vitit 2022, projeksionet e BQK-sё sugjerojnё se aktiviteti ekonomik do të shënojë rritje më të ngadalësuar prej rreth 3.0% pёrqind. Ngadalësimi i rritjes së aktivitetit ekonomik pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme.

“Statistikat e ASK-së sugjerojnë se norma mesatare e rritjes në tremujorin e parë të vitit 2022 ka qenë 4.9%, ku rritja mё e lartё ёshtё shënuar nё sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit (8.8%), tregtisë (8.6%), industrisë përpunuese (5.4%), etj, tha ai.Guvernatori Mehmeti bëri me dije se Kosova vazhdon të ketë një pozicion të qëndrueshëm fiskal, ku në tremujorin e parë të vitit 2022 buxheti kishte bilanc pozitiv prej 114.5 milionë euro.

“Të hyrat buxhetore deri në muajin mars 2022 arritën vlerën prej 543 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 19.3% përderisa shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 428 milionë Euro, që paraqet një rënie prej 12.2%. Rrjedhimisht, kemi suficit primar buxhetor prej 6.6 përqind e BPV-së ndërkohë që në vitin 2021deficiti buxhetor ishte 0.9 përqind e BPV-së. Borxhi publik ka arritur në 1.7 miliardë euro, që është një rritje vjetore prej 9.7 përqind kundrejt vitit 2021. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik është 20.3 përqind, që paraqet një rënie krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021 ku ishte 21.8 përqind”, tha ai.

Sipas tij kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë, është shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, dhe në të njëjtën kohë, të mbajë nivele të larta të likuiditetit dhe mjaftueshmërisë së kapitalit.

“Sektori bankar vazhdon të ketë cilësi të mirë të portofolit kreditor me nivel të kredive jo-performuese prej 2.2përqind. Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jo-bankare gjithashtu ka vazhduar të ketë një ndikim të rëndësishëm në kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla”, tha ai.

Edhe Sektori pensional, sipas tij u karakterizua me rritje të aseteve prej 14përqind deri në mars 2022, përderisa vlera e përgjithshme e tyre arriti në 2.34 miliardë euro.

“Asetet e sektorit të sigurimeve që përfaqësojnë 2.8 për qind të gjithsej aseteve të sistemit financiar arritën vlerën prej 249.0 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 11.5 përqind. Në tremujorin e parë të vitit 2022, vlera e primeve të shkruara nga siguruesit arriti në 29.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 18.3 për qind, përderisa dëmet e paguara nga siguruesit dhe Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) shënuan rënie për 0.5 përqind, duke zbritur në vlerën prej 14.7 milionë euro në fund të marsit 2022”, deklaroi ai.Mehmeti: Remitancat shtyllë e rëndësishme e mbajtjes së KosovësGuvernatori i Bankës Qendrore të Republikë së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, foli edhe për remitancat dhe tha se ato janë një ndër komponentët të rëndësishme për përkrahje të familjeve të Kosovës.

“Rigjallërimi me të cilin u karakterizuan konsumi dhe investimet gjatë vitit 2021 kryesisht mbështet në lehtësimin e masave kufizuese që mbështetën lëvizjen e lirë, dinamikë që u reflektua në mbështetje shumë të lartë të aktivitetit të gjeneruar nga diaspora. Vetëm në vitin 2021,kontributi i fluksit të diasporës (remitancat e dërguara, shpenzimet e realizuara në kuadër të komponentës së udhëtimit në Bilancin e Pagesave të vendit, kompensimi i punonjësve sezonal jashtë vendit dhe investimet në patundshmëri) në BPV-në e gjeneruar rezulton të ketë qenë rreth 43 për qind”, theksoi ai.

Gjatë këtij viti remitancat kanë arritur në 445 milionë euroMehmeti ka folur edhe për funksionimin e BQK-së, ku ka përmendur edhe dekretimin nga presidentja të anëtarit të ri të bordit të BQK-së, Nexhat Kryeziu, e që sipas tij do ta bëj bordin më funksional.

”BQK-ja ka një rol kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe ka ndikim në parametrat kyç të zhvillimit ekonomik. Për të arritur këtë BQK-ja me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj teknike dhe njerëzore, si dhe harmonizimin e kornizës rregullative me praktikat dhe standardet e vendeve të zhvilluara. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë akterët për mbarëvajtjen e procesit dhe stabilitetit financiar në Kosovë dhe kjo arrihet duke bashkëpunuar mes vete”, tha Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!