MASHT-i bëhet gati për testin ndërkombëtar TIMSS

E publikuar: 26/03/2019 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në takimin e përbashkët të Komisionit për Vlerësime Ndërkombëtar, përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe Koordinatorëve të shkollave të përzgjedhura për vlerësimin TIMSS, ku u bisedua për përgatitjet rreth mbarëvajtjes së këtij testi (hulumtimi) vlerësues.

Bytyqi me këtë rast vlerësoi lartë rëndësinë e testit në fjalë i cili mbështet nga partnerët tanë , si një instrument i jashtëm vlerësues, nga rezultatet e të cilit do të kemi një pasqyrë reale të gjendjes momentale në sistemin e arsimit në Kosovë.

Ministri i Arsimit kërkoi nga të gjithë akterët e involvuar në këtë proces që të angazhohen maksimalisht, të informojnë nxënësit dhe shkollat pjesëmarrëse që të jenë të përgatitur dhe të japin maksimumin.

Testi ndërkombëtar (hulumtimi) TIMSS, është vlerësim ndërkombëtar i trendëve në njohuritë e Matematikës dhe Shkencave Natyrore i cili realizohet në kuadër të organizatës IEA( Internacional Association for dhe Evaluation of Edukational) për vlerësimin e të arriturave në arsim.Ndryshe, MAShT, përkatësisht Divizioni për Sigurimin e Cilësisë, Standardeve dhe Monitorim ka hartuar planin dinamik të organizimit, në harmoni me kërkesat e parashtruara.

Janë përzgjedhur 148 shkolla prej të cilave 3 shkolla janë më nxënës me nevoja të veçanta.

Testi ndërkombëtar TIMSS përfshin nxënësit e klasave të katërta dhe teta me gjithsej rreth 5000 nxënës dhe fillon nga data 22 prilli dhe zgjat deri më 10 maj.

Ky proces mbështetet nga Bashkimi Evropian ,Banka Botërore (projekti KESIP ) dhe partner tjerë të MAShT.