Skandal i “RAI 3” në Itali, si u hetua drejtuesi i emisionit “Report” për fatura fiktive! Deputeti Italian: Më ka kërcënuar me sms

E publikuar: 04/05/2024 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Televizioni “Rai 3” në Itali u përfshi dy vjet më parë në një skandal për të cilin prokuroria nisi hetimet nën dyshimin e prerjes së faturave fiktive për transmetimin e emisionit “Report”.

Nën hetim u vu Sigfrido Ranucci, zëvendës drejtor i RAI3 dhe njëkohësisht drejtues i emisionit “Report” që transmetoi ditë më parë një reportazh kundër Shqipërisë ku fliste edhe për marrëveshjen me Italinë për emgigrantët, duke sjellë më pas edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama.

Mediat italiane shkruajnë se bëhej fjalë për faturime fiktive për të cilat Ranucci flet në një video të regjistruar pa dijeninë e tij në vitin 2014 teksa ndodhet në tavolinë në negociata për të marrë material “ekskluziv” për kryebashkiakun e atëhershëm të Veronës, Flavio Tosi.

Një akuzë e tillë është mohuar nga avokati i Ranuccit, zoti Luc Tirapelle i cili përjashton mundësinë që “RAI 3” të ketë pasur fonde për blerjen e materialeve të dobishme për emisionin Report apo për kryerjen e veprimtarive të dosjeve kundër politikanëve të ndonjë partie.

Sipas avokatit, Ranucci në atë takim po luante bllofin për të parë nëse vërtet ekzistonte një video që dëmtonte figurën e Flavio Tosit.

Më tej në artikullin e publikuar nga media italiane, shkruhet se Ranucci mburrej me mundësinë që kishte për të bërë fatura fiktive duke kërkuar ndërhyrjen e një miku të tij, me qëllim mbeledhjen e provave të nevojshme për hetimin.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe deputeti i “Forza Italia”, Andrea Ruggeri i cili ka deklaruar se ka marrë mesazhe kërcënuese nga Ranucci.

“Sot sjell gjithë materialin që kam: sms kërcënuese nga Ranucci dhe raporte të aktiviteteve të zhvilluara. Është një çështje e një rëndësie të paparë”, tha deputeti ndër të tjera.

Top Channel