Disa pamje që po qarkullojnë në rrjetet sociale thuhet se tregojnë momentin kur i dyshuari për sulmin e fundit në një shkollë në Turqi bën disa “lëvizje të çuditshme”.
Bëhet fjalë për pamje që thuhet se janë marrë para sulmit, nga ambientet e shkollës në Kahramanmaraş – ku ka ndodhur sulmi i cili ka tronditur opinionin publik – ku i dyshuari i sulmit shihet duke bërë veprime të çuditshme pak para ngjarjes së rëndë, përcjell Telegrafi.
Bilanci i viktimave nga sulmi me armë në një shkollë të mesme atje ka arritur në nëntë të vdekur – tetë nxënës dhe një mësues.
Sipas autoriteteve, sulmi u krye nga një nxënës 14-vjeçar i klasës së tetë, i cili kishte marrë armën nga shtëpia dhe hapi zjarr në dy klasa.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, konfirmoi se 13 persona të tjerë janë plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë dhe në kujdes intensiv.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një akt individual dhe nuk po trajtohet si terrorizëm.
Autoritetet kanë pezulluar mësimin për dy ditë në Kahramanmaraş, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.
Sipas raportimeve, autori i dyshuar ka humbur jetën më pas.
















