Latifi e quan “zuzar” Mustafa Nanon pasi ky i fundit i doli në krah Goran Bregoviçit

E publikuar: 08/08/2021 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori universitar, Blerim Latifi, i ka reaguar gazetarit Mustafa Nano për statusin e tij lidhur me ardhjen e këngëtarit që frymëzoi masakrat në Kosovë, Goran Bregoviq, në Korcë.

Mustafa Nano ka reaguar për ftesën që Bashkia e Korçës ia ka bërë këngëtarit serb, Goran Bregoviq, për Festën e Birrës. Në këtë debat, Nano nuk ka nguruar të dalë krah kërngëtarit serb.

Nano thotë se ka shqiptarë që duan ta dëgjojnë, dhe se Bashkia e Korçës nuk mund ta refuzojë Bregoviqin vetëm sepse “kështu duan disa policë të mendimit e disa gardianë të patriotizmit”.

“Ne nuk mund të mbetemi pengje të një antisllavizmi të paketuar jetë e mot. Këtë të fundit e them në radhë të parë për shqiptarët e Kosovës, të cilët ngacmohen menjëherë nga çdo gjë serbe”, ka shkruar Nano.

Ai madje shkon larg, duke thënë se ndihet më afër me këngëtarin serb, Goran Bregoviq, sesa me ata që po e kundërshtojnë prezencën e tij në Festën e Birrës në Korçë.

Latifi ka reaguar duke i kujtuar Nanos të bëmat e shtetit serb në Kosovë.

“Të kujtosh mbi 12 mijë shqiptarë të vrarë nga shteti serb, të kujtosh 20 mijë gra shqiptare të përdhunuara nga ky shtet, e mbi 1133 fëmijë të vrarë po nga ky shtet, për Mustafa Nanon do të thotë të mbetesh peng i nacionalizmit vulgar e folklorik.”, ka shkruar ai.

Latifi ka shtuar edhe më tutje duke thënë se një karakter i tillë nuk mund të ëprshkruhet ndryshe pos me me një fjalë të cilin e ka përdorur edhe ish-publicisti i njohur, Faik Konica.

“Si të përshkruhet një karakter i tillë? Konica e ka termin më të mirë të mundshëm për këtë punë: ZUZAR”, ka shkruar Latifi.