
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka realizuar një aksion të gjerë mëngjesin e 6 majit 2025, që ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi.
Operacioni është ndërmarrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas një hetimi disa mujor, ndërsa bastisjet janë zhvilluar në tri lokacione të ndryshme në qytetin e Gjilanit.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Valmir Osmani dhe Nuhi Osmani, babë e bir – si dhe Rilind Vllasaliu.
Klankosova.tv. ka siguruar fotografinë e të dyshuarit kryesor, Valmir Osmani, i cili sipas informacioneve të para, ka qenë në krye të këtij grupi kriminal.
Tre të dyshuarit kanë vepruar si një grup i organizuar kriminal, duke përdorur identitete të rrejshme dhe kredenciale të vjedhura për të mashtruar qytetarë – kryesisht të huaj – përmes platformave të rreme të investimeve në tregje financiare dhe kriptovaluta.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.