Kush i mbështet familjet e punëtorëve që vdiqën në vendet e punës?

E publikuar: 16/04/2026 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Plagët që i mori në vendin e punës qenë vdekjeprurëse për të.

Shembja e dheut në një vend punishte në lagjen “Veternik” të Prishtinës ia shkaktoi vdekjen një 33-vjeçari.

Një vit pas incidentit, e ëma tregoi në kushte anonimiteti nëse morën ndonjë dëmshpërblim nga kompania ku ishte punësuar i ndjeri.

“Jo valla përkrahje nuk kemi kurgjo hiç bile hiç se hiç, ata kompania i kanë dhënë nuses pak diçka sepse i kanë taku asaj, një rast u hap po më kurrë nuk dijmë çka ka ndodhë se nusja ka shku atje”, ka thënë ajo, raporton RTV Dukagjini.

Ajo foli edhe për ditën kur e morën vesh lajmin.

“Djali më ka vdek në prill të 2025-tës në vendin e punës kur kemi dëgju jemi shqetësu krejt si familje kanë ardh mjekët, me ineksione se më rënd më nuk di nuk kemi mujt me u qetësu kurqysh”, ka shtuar ajo.

Në vendin e punës, dy vite më parë vdiq edhe një 37-vjeçar teksa po ngiste kamionin ku po punohej në një rrugë në Jezerc të Ferizajt.

Vëllai i të ndjerit në një përgjigje me shkrim për Dukagjinin tha se hetimet ndaj kompanisë kanë pushuar.

“Tek rasti i familjarit tonë, nuk kemi pasur përkrahje nga shteti, përkundrazi siç edhe jeni informuar institucionet e shtetit në këte rast Prokuroria Themelore në Ferizaj ka mbyllur hetimet me ndihmën e disa policëve, Inspektoratit të Punës dhe kompanisë ku ka punuar familjari jonë. Fatkeqsisht raste të tilla po kemi pothuajse çdo ditë. Ankesat tona drejtuar institucioneve të shtetit dhe Gjykatës Kushtetuse deri më tani janë në harresë”, ka thënë ai.

Përgjegjësia për kompensim në raste të tilla, sipas avokatit Arbër Jashari u takon kompanive ku kanë ndodhur incidentet.

“Nëse konstatohet se vdekja ka ardh si pasoj e mos marrjes së masave nga ana e kompanisë atëherë familjarët e tij kanë të drejtë të kërkojnë kompensim dëmi për vdekjen e të afërmit të tyre”, ka thënë Jashari.

Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për numrin e veprave penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” por gjatë ditës nuk kanë qenë të qasshëm.