Kurz e befason rivalen Lunacek me një dhuratë nga Kosova

E publikuar: 26/09/2017 09:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krerët e dy partive më të mëdha në Austri, Sebastian Kurz nga Partia Popullore e Austrisë dhe Ulrike Lunacek nga Partia e Gjelbër, janë ballafaquar mbrëmë në një debat, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Në fillim të debatit, ishte paraparë që kandidatët të shkëmbenin nga një dhuratë simbolike me njëri-tjetrin.

Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz, ka zgjedhur një dhuratë nga Kosova për oponenten e tij, Ulrike Lunacek, e cila për vite me radhë ka raportuar për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe avokate e madhe për liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Z. Kurz ia ka dhuruar znj. Lunacek një letër falënderimi, të shkruar dhe nënshkruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili e falënderon eurodeputeten Lunacek për përkushtimin e saj për forcimin e raporteve Kosovë-BE dhe për perspektivën evropiane për Kosovën.

“Unë e kam sjellë një dhuratë të zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili falënderohet për angazhimin shumëvjeçar të zonjës Lunacek për Kosovën”, ka thënë Kurz, transmeton gazeta Express.

Me këtë rast, Kurz ka thënë se me zonjën Lunacek mund të kenë dallime politike, por Kosova dhe angazhimi për Ballkanin Perëndimor janë një pikë e përbashkët.

Ai ka thënë se politikanët në Kosovë dhe, konkretisht, zëvendëskryeministri Hoxhaj është shumë falënderues për këtë angazhim.

Ndërsa zonja Lunacek ka thënë se e njeh personalisht z. Hoxhaj, duke shtuar se ai ka studiuar në Vjenë dhe njeh shumë mirë gjuhën gjermane.

Lunacek është shprehur shumë e lumtur për dhuratën dhe ka pranuar se Kosova është ndër vendet më të dashura të saj në rajon. Ajo ka theksuar se gjatë gjithë kohës angazhohet që në Kosovë të ecin përpara disa procese të rëndësishme.

Raportohet se letra është shkruar personalisht nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në shenjë miqësie dhe falënderimi për z. Kurz dhe znj. Lunacek./Illyria