Kurti dje tha “unë kryeministër”, sot s’iu flet gazetarëve për qeverinë tranzitore

E publikuar: 07/05/2025 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, Bahri Fazliu, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i tij.

Kurti u shprehi lavdi dëshmorëve, por nuk e foli asnjë fjalë për politikë si zakonisht.

Ai vendosi të mos e thotë asnjë fjalë në momentin kur u pyet nga gazetarët se si e ka parë propozimin e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku për një qeveri tranzitore. Kurti injoroi pyetjen dhe u largua nga turma e gazetarëve.

“Erdhëm sot, në 27-vjetorin e rënies heroike të Bahri Fazliut, për të bërë homazhe së bashku, sepse Bahri Fazliu është shembull i luftëtarit çlirimtar, edhe para luftës çlirimtare. Kemi pasur shumë veprimtarë të cilët e kanë përgatitur luftën, dhe në mesin e tyre, ndër më të shquarit, është Bahri Fazliu, i cili mbante pseudonimin ‘Gëzimi’. Shkrimet e tij analitike, poezitë e tij romantike, dashuria e tij e pafund për atdheun, si dhe aksionet dhe betejat në të cilat mori pjesë, pa dyshim që e bëjnë atë një shembull të gjallë, jo vetëm për brezin tonë, por edhe për ata që do të vijnë”.