Kurteshi synon që me 10 impiante të zgjidh problemin e ujërave të zeza

E publikuar: 15/11/2017 14:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me kandidatin e saj për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, do të zgjidhin njëherë e përgjithmonë problemin me ujëra të zeza në këtë komunë, nëse do të qeverisin gjatë mandatit të ardhshëm katër vjeçar.

Kështu ka deklaruar kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, ku gjatë vizitës në përroskën Stanishorka, ka prezantuar planin e tij për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza, me ç’rast tha se tashmë kanë hartuar një projekt konkret për sanimin e këtyre ujërave.

Ai në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, është zotuar se sanimi i ujërave të zeza do të përfundojë në një afat kohor prej tri vitesh, me ndërtimin e 10 impianteve në këtë komunë.

“Në këtë projekt janë planifikuar 10 impiante që do të ndërtohen në komunën e Gjilanit. 5 impiante do të jenë në fund të grykave që derdhen në ujërat e mëdha të Komunës së Gjilanit, kryesisht në Moravë, dhe 5 impiante do të jenë në lokacionet e qytetit të Gjilanit. Këto do të jenë pastrues, impiante nëntokësore që do të pastrojnë ujërat dhe mbi to do të ndërtohen parqe në të cilat do të mbillen nga 500 drunj, lule dhe fidane, dhe do të bëhen parqe rekreacioni”, tha ai.

Kostoja e këtyre impianteve dhe ajo e ndërtimit të kanalizimit që do të ndërtohet për ndarjen e ujërave të zeza nga ato të reshjeve atmosferike, sipas Kurteshit kap shumën prej 10 milionë euro.

“Të gjitha këto impiante dhe këta pastrues e kanë një kosto bashkë me kanalizimin që do të ndërtohet për bartjen e ujërave të zeza për ndarjen e të reshurave dhe do të ndahen nga kanalizimi i ujërave të zeza, do të kushtojnë rreth 10 milionë euro. Këto mjete janë të mundshme dhe do të sigurohen nga buxheti që i ndahen Komunës së Gjilanit për investime kapitale, nga të ardhurat vetanake të Komunës, por edhe nga donacionet e jashtme që janë të gatshme për sanimin e ujërave të zeza”, tha ai.

Madje, krahas kostos së arsyeshme Kurteshi tha se sipas llogaritjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjithë ato shpenzimeve do të rikthehen brenda 10-15 vite me kultivimin e fidaneve dhe luleve nga ndonjë kompani publike.

Sipas Kurteshit, të gjitha ujërat e Gjilanit janë të ndotura dhe qeverisjet e kaluara nuk kanë ndërmarrë asnjëherë ndonjë hap konkret për sanimin e ujërave të zeza, përderisa theksoi se me të si kryetar komune, Gjilani do të zgjidhë këtë problem brenda mandatit të parë qeverisës.