Kundër nënshtrimit qeveritar ndaj Serbisë

29.11.2015 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Kundër nënshtrimit qeveritar ndaj Serbisë

Albin Kurti
Në Kuvendin e Serbisë, përveç dy deputetëve shqiptarë atje, nuk kishte asnjë deputet që ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Po ashtu, asnjë ministër a zëvendës-ministër në Qeverinë e Serbisë nuk ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës shumica e deputetëve, për shkak të koalicionit PDK-LDK-Srpska, janë për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Asnjë ministër a zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës nuk doli kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë! Pra, në Beograd politikanët serbë janë unikë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në Prishtinë, ne politikanët shqiptarë jemi të ndarë rreth Serbisë dhe apetiteve të saj! Skena politike në Kosovë nuk është e ndarë si opozitë-pozitë për pushtet në Kosovë, por është ndarë për e kundër ‘Zajednicës’ nga shteti i Serbisë. Pyka në politikën kosovare është serbe.

Fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është e keqja më e vogël që Serbia ia ka bërë Kosovës. Të këqijat e tjera që na i ka bërë e po na i bën Serbia janë më të mëdha e shumë më të mëdha se kaq, por ja që për ato asnjë fjalë asnjëherë nuk e thotë Qeveria. Mustafa e Thaçi heshtën edhe për bllokimin e librave shkollorë shqip në terminalin doganor në Preshevë. Ama bash asnjë fjalë s’e tha asnjëri prej tyre për nxënësit shqiptarë që mbetën pa librat shqip.

Veçse kjo heshtje e përgjithshme e Qeverisë së Kosovës gjithsesi e ka edhe një ambient të përshtatshëm në shoqëri e posaçërisht në medie. Disi edhe elitës kosovare vazhdimisht po duhet t’ua përkujtojë Serbia se kush është ajo. Elita kosovare është bërë porsi një kompjuter me RAM memorie pa hard disk. U kujtuan për Serbinë armike e keqbërëse, u kujtuan për ndërprerje ose ridimensionim të dialogut me Serbinë, vetëm pasi që Kosova nuk u pranua në UNESCO. Për elitën kosovare Serbia është e keqe vetëm nëse është vazhdimisht e keqe.

Jo rastësisht në thumb të kësaj elite prej opinionistësh ndodhet ‘dhuna opozitare’. Polarizimi aktual në Kosovë ka nxjerrur në pah diç shumë të rëndësishme: nëpër debatet televizive po demaskohen analistët! Në neutralitetin e tyre po shihet se kanë qenë bukur pranë qeverisë e mjaft larg opozitës. Shumica e këtyre opinionistëve neutralë doli se janë një hap larg qeverisë dhe pesë hapa larg opozitës! I këtillë na paska qenë neutraliteti i tyre. Ata kanë qenë të paanshëm në kuptimin që s’kanë qenë identik me pozicionin as të qeverisë dhe as të opozitës së bashkuar, mirëpo fare nuk kanë qenë të baraslarguar në këtë ‘paanshmërinë’ e tyre.

Të gjithë opinionistët e paanshëm që flasin një herë për ‘dhunën’ e opozitës së bashkuar apo të VETËVENDOSJE!-s do të duhej të flasin 10 herë për dhunën e plaçkitjes së dhomave të dëshmive në policinë e Kosovës ku u vodhën droga, ari dhe dosjet, apo jo? Por ja që këtë nuk e bëjnë pothuajse asnjëri prej tyre. Dhe, duhet kritikuar 20 herë ‘Zajednica’ e Serbisë dhe ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi, 10 herë dhuna policore në rrugët e Prishtinës dhe nëpër stacione të policisë, e vetëm njëherë gazi e spreji lotsjellës në Kuvend si dhe gurët në duart e protestuesve të paarmatosur përballë policëve specialë të armatosur gjer në dhëmbë. Përndryshe, s’ka kuptim ky farë ‘opinioni neutral’.

Qeveria e Kosovës moti ia ka mbyllur me shul derën popullit të Kosovës andaj tash ai ia theu xhamat e dritareve asaj. Prona shtetërore e publike është uzurpuar nga kjo qeveri kuislinge e ‘Zajednicës’. Ne nuk po dëmtojmë diçka që është e popullit por diçka që i është marrur popullit, i është uzurpuar atij. Dëmet materiale nuk janë më dëmtime të pronës së popullit por dëmtime të qeverisë anti-popullore. Dhe, jo vetëm kaq. Të gjithë policët e lënduar në të kaluarën, të gjithë policët që mund të lëndohen në të ardhmen, duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë pse nuk po tërhiqet prej pazareve të tyre me Serbinë dhe Malin e Zi ku Kosova shitet më lirë se badihava.

Qeveritarët kosovarë me në krye Isa Mustafën duket se janë të obsesionuar me pronat private dhe indiferentë ndaj territorit të shtetit. Pra, ata sillen si biznesmenë meskinë e jo si përfaqësues dhe dalzotës të popullit. Njëmend ‘Zajednica’ është pasojë e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 para se të jetë e asaj të 25 gushtit 2015. Mirëpo, pa këtë marrëveshjen e Isës me Vuçiqin, ajo e Thaçit me Daçiqin nuk do të konkretizohej praktikisht. Sigurisht që strukturat shtetërore të Serbisë në Kosovë kanë mundur ta shpallin ‘Zajednicën’ e komunave me shumicë serbe. Mirëpo, çështja që shtrohet këtu është pse këtë shpallje t’ia bëjë ‘Zajednicës’ vetë shteti i Kosovës përkatësisht qeveria Mustafa?! Kur ta thyejnë këmbën, më mirë është të mos e vësh në gjips fare sesa ta vësh gjipsin e një kallëpi të gabueshëm i cili mandej do të detyrojë ta thyesh sërish këmbën, por asaj radhe t’ia thyesh vetes këmbën!

Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit.

29 nëntor 2015
Albin Kurti

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Oda Ekonomike: Bilanci tregtar i Kosovës përmirësohet me Greqinë, por mbeten deficite të larta me Poloninë dhe Arabinë Saudite

Oda Ekonomike: Bilanci tregtar i Kosovës përmirësohet me Greqinë, por mbeten deficite të larta me Poloninë dhe Arabinë Saudite

Policia për Vidovdanin: 37 persona janë proceduar në gjykatë, bënë thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes

Policia për Vidovdanin: 37 persona janë proceduar në gjykatë, bënë thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes

Marrëdhëniet Kosovë-ShBA | kreu i Këshillit Shqiptaro-Amerikan: Jemi në udhëkryq të rëndësishëm – duhet të kemi shumë kujdes

Marrëdhëniet Kosovë-ShBA | kreu i Këshillit Shqiptaro-Amerikan: Jemi në udhëkryq të rëndësishëm – duhet të kemi shumë kujdes

Kandiqi pretenton për një varr masiv në Pasuljanske Livade

Kandiqi pretenton për një varr masiv në Pasuljanske Livade

Arifi: Shqipëria, vendi i vetëm në botë ku protestohet kundër zhvillimit, Kosova vendi i vetëm në botë ku glorifikohet moszhvillimi

Arifi: Shqipëria, vendi i vetëm në botë ku protestohet kundër zhvillimit, Kosova vendi i vetëm në botë ku glorifikohet moszhvillimi

Analistët: Humbjet zgjedhore nxitën përçarjet në LDK, kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut të arsyeshme

Analistët: Humbjet zgjedhore nxitën përçarjet në LDK, kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut të arsyeshme

Ambasadori suedez: Kosova ka nevojë për unitet politik, kompromisi është forcë, e jo dobësi

Ambasadori suedez: Kosova ka nevojë për unitet politik, kompromisi është forcë, e jo dobësi

Vuçiq: Janë ditët e fundit të miat si president i Serbisë

Vuçiq: Janë ditët e fundit të miat si president i Serbisë

Haziri: Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën

Haziri: Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën

Rezultatet përfundimtare, kështu ndahen ulëset e partive në Kuvend

Rezultatet përfundimtare, kështu ndahen ulëset e partive në Kuvend

Krijimi i institucioneve, Tahiri: Nuk ka kushte, por gjashtë kërkesa në interes të qytetarëve

Krijimi i institucioneve, Tahiri: Nuk ka kushte, por gjashtë kërkesa në interes të qytetarëve

Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare në BE deri në 2029, procesi i zgjerimit po ecën me hapa të shpejtë

Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare në BE deri në 2029, procesi i zgjerimit po ecën me hapa të shpejtë

Energjia: Dështimi i LVV-së që po e varfëron dhe po e zbraz Kosovën

Energjia: Dështimi i LVV-së që po e varfëron dhe po e zbraz Kosovën

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

Tromp për vendimin final të Hagës: Do të ketë kompromis, dikush do të lirohet e dikush jo

Tromp për vendimin final të Hagës: Do të ketë kompromis, dikush do të lirohet e dikush jo

Temperaturat e larta, AUV thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve tek të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimorë

Temperaturat e larta, AUV thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve tek të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimorë