Kryeziu: Vetëmenaxhimi vetëm në përputhje me letrën e Mogherinit drejtuar Mustafës

E publikuar: 29/03/2023 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në “Prime Time” ka folur rreth marrëveshjes së fundit të dakorduar në Ohër mes palës kosovare dhe asaj serbe, shkruan Gazeta10.

Kryeziu ka sqaruar se vetëmenaxhimi sipas tij është krejtësisht ndryshe nga Asociacioni që ‘’pamundëson integrimin dhe defunksionalizimin e Republikës”.

“Vetëmenaxhimi për dallim nga Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe njësi themeltare e ka qytetarin, të drejtën e tij dhe për bazë e ka marrëveshjen e Këshillit të Evropës për mbrojtën e pakicave kombëtare. Ndërsa Asociacioni njësi themeltare e ka Komunën që është njësi administrative por edhe territoriale. Ne kemi thënë që nuk mund të lejojmë mekanizma apo njësi të tilla sepse pamundësojnë integrimin dhe e defunksionalizojnë Republikën.”, ka thënë Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë, ka folur edhe rreth termit vetëmenaxhim duke thënë se s’do të nënkuptoj autonomi për serbët, duke theksuar letrën që ish-shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i kishte dorëzuar ish-kryeministrit Isa Mustafa, para marrëveshjes së vitit 2015.

“Ai nuk do të nënkuptoj autonomi territoriale e as shkelje të Kushtetues apo shmangie të vendimit të Gjykatës së Kushtetutës së vitit 2015 për marrëveshjen e vitit 2015. Do të jetë në përputhje me atë që Mogherini ka thënë në letrën e drejtuar ish-kryeministrit Mustafa para nënshkrimit të marrëveshjes së asaj kohe, se ajo marrëveshje nuk nënkupton që Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai.

Kryeziu ka thënë se ndërkombëtarët janë të vetëdijshëm se kjo nuk është marrëveshje finale, por është një hap i madh drejt normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Marrëveshja bazë është propozim franko-gjerman, që ka mbështetjen e gjitha vendeve të BE-së, veçanërisht Gjermanisë, Italisë e Francës por edhe SHBA-së të cilat kanë ardhur me një propozim të atillë që kanë konsideruar se rrethanat në të cilat ndodhet Evropa, Ballkani ka nevojë për dakordim që zhbllokon situatën dhe që mundëson që të bëhet një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Duke qenë të vetëdijshëm që s’është marrëveshje finale, por bazë.”, ka thënë Kryeziu.

Sa i përket çështjes se si do të jetë modeli e statuti i “vetëmenaxhimit”, përfaqësuesi i Qeverisë në ‘Prime Time” ka thënë se do të diskutohen në takimet e radhës./Gazeta10