Kryetari i Komunës së Gjilanit ka njoftuar për ndarjen e parakohshme nga jeta të Bajram Isufit, ish-drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe ish-udhëheqës i Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”.
Përmes një postimi, kryetari ka shprehur pikëllimin për vdekjen e Isufit, duke vlerësuar lart kontributin e tij për vendin dhe qytetin e Gjilanit.
Sipas tij, Bajram Isufi ishte pjesë e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pas luftës vazhdoi angazhimin e tij në shërbim të qytetarëve, duke ushtruar detyrën e drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë, si dhe duke udhëhequr Ndërmarrjen Publike Lokale “Tregu”.
Kryetari e ka përshkruar atë si profesionist, njeri të urtë dhe bashkëpunëtor të përkushtuar, i cili do të kujtohet për ndershmërinë, korrektësinë dhe kontributin e tij institucional.
Në fund të postimit, ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Isufi, miqtë, kolegët, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e njohën.
































