Kryeministri, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje konkrete lidhur me raportimet për mungesë të uniformave dhe pajisjeve për zyrtarët e Policisë së Kosovës, çështje kjo që ishte raportuar se kishte ndikuar edhe në shtyrjen e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.
I pyetur për këtë çështje, Kurti ka thënë se për furnizimin me pajisje dhe uniforma përgjegjëse për të dhënë informacione është Ministria e Punëve të Brendshme. Ai ka theksuar se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht.
“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua jep përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, tha Kurti.
Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës do të mbahet sot nga ora 16:30, ku pritet t’i bashkohen institucionit mbi 300 zyrtarë të rinj policorë./EO































