Krasniqi: Qeveria Kurti s’do të sjellë drejtësi për rastin Dehari

E publikuar: 16/02/2023 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Frashër Krasniqi, nga radhët e Partisë Socialdemokrate, ka thënë se tashmë është e qartë se Qeveria e Kosovës nuk do të sjellë drejtësi në rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Sipas Krasniqit, PSD-ja tash e 2 vite, ka kërkuar drejtësi për Deharin, por sipas tij në këtë drejtim nuk është lëvizur asnjë gur i vetëm.

“Çdo ditë që po kalon, po dëshmohet pa dyshim, që le që këta nuk do të sjellin drejtësi, por edhe do ta sabotojnë atë. Sepse nuk u konvenon. Astritin e patën për fushata elektorale. E kur ato u kryen, nuk u duhet më. Përveç përkujtimeve hipokrite tek varri i tij. Por, ne s’do t’i lëmë të qetë, pa e sjellë drejtësinë”, ka thënë Krasniqi për Albanian Post.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ai është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e gjakut të Astrit Deharit.

Prandaj i njëjti ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të intervistojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun e disa anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore monitorohet 24 orë nga kamerat, dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”.

Ndryshe për deklaratat e thëna mbi rastin e Astrit Deharit, Prokuroria Speciale do ta ftojë për intervistim deputetin, Haki Abazi.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ndër të tjera tha se “vendi për të dëshmuar është këtu dhe do ta thërrasim Haki Abazin të hënën”.