Rasti i “Alb Kings” po hetohet nga policia, informohet edhe gazetarja Thaçi

E publikuar: 10/05/2024 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti Mefail Bajqinovci, në pyetjet e adresuara drejtorit të policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesve tjerë policor në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka kërkuar të dijë më shumë rreth rastit të grupit “Alb Kings”, të cilët kanë shpërndarë numrin personal të gazetares, Ardiana Thaçi Mehmeti.

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha tha se janë duke i zhvilluar hetimet, ndërkaq tha se kanë biseduar po ashtu me gazetaren Thaçi, duke ia bërë të ditur se rasti është në vazhdim të procesit.

Agron Nezaj, drejtor i Departamentit të Hetimeve në policinë e Kosovës ka deklaruar se ky grup poston fotografi me përmbajtje pornografike dhe se i kanë arrestuar katër persona e faqet janë të hapura me vendndodhje në Arabi.

“Hetimet e para kanë qenë në vitin 2023 në kuadër të këtyre hetimeve ky grup poston fotografi me përmbajtje pornografike. I kemi arrestuar katër persona, faqet janë të hapura me vendndodhje në Arabi. Jemi në drejtim të duhur, është mjaft sfiduese dhe jemi duke e bërë të pamundurën”, ka thënë Nezaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka shprehur shqetësimin e tij rreth këtij rasti.

“Mendoj që është i rëndësishëm roli ynë si deputet. Edhe për mua është jashtëzakonisht shqetësues “Alb Kings”, po ashtu edhe mashtrimet me kriptovaluta, ku po mashtrohen qytetarët”, ka thënë Basha.