Krasniqi për raportin e HRW-së: Tregues se kjo Qeveri abuzoi me të drejtat elementare të qytetarëve

E publikuar: 12/01/2023 11:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pasi organizata Human Rights Watch (HRW) në raportin për Kosovën për vitin 2022, ka përmendur tensionet, kërcënime dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Krasniqi ka thënë se ky raport është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga Qeveria Kurti: “Abuzim me të drejtat e tyre elementare”.

Sipas tij, gjatë vitit që lamë pas ka pasur shpërfaqje të mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale.

“Kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë – e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën i organizatës Human Rights Watch”.

“Dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie”, ka shkruar i pari i PDK-së në Facebook.