Krasniqi: Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, dëshmi e përfshirjes së VV-së në abuzimet me energji

E publikuar: 19/04/2023 19:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj lajmit të për bastisje në zyrat e KEK-ut dhe arrestimin e Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit”.

Krasniqi ka thënë se tani është koha që kryeministri Albin Kurti të flasë për “bojlerat dhe filterat”, pasi që, sipas tij, në emër të tyre janë bërë keqpërdorime të mëdha. Ai shton se ka keqpërdorime të qeverisë Kurti në sektorin e energjisë dhe se nuk janë të rastësishme.

“Arrestimi i sotëm i kryeshefit të KEK-ut, ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, është dëshmia më e mirë e asaj që e kemi thënë për muaj të tërë – se Qeveria Kurti, abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që e kanë instaluar në këtë sektor”, shkruan ai.

“Kryeminisitri Kurti duhet të deklarohet menjëherë per arrestimin e sotëm të mikut dhe bashkëpartiakut të tij, sepse sot e ka momentin të flasë për bojlera e filtera, që pretendonte se i kupton mirë e që sot po vërtetohet se në emër të tyre janë keqpërdorur miliona euro nga vartësit e tij. Abuzimet e Qeverisë Kurti me tërë zingjirin e sektorit të energjisë, prej prodhimit e deri te konsumi i saj, nuk janë as të rastësishme dhe as pa dashje”, shtoi ai.

Krasniqi përmend edhe rritjet e çmimit të energjisë për dy vite me radhë prej ardhjes në pushtet të qeverisë Kurti dhe shitje të lirë të energjisë elektrike dhe blerje me çmime të shtrenjta. Ai ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të procedojë rastin me seriozitet.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për mbi 100% vitin e kaluar, rritja e dytë për 15% para pak ditësh, pagesa në mënyrë joligjore e mbi 100 milionë eurove për faturat e serbëve në veri, bllokimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, si dhe shitja e lirë e blerja e shtrenjtë e energjisë – lënë dyshime se janë pjesë e një piramide korruptive të krijuar nga Qeveria Kurti e në krye të së cilës qëndron Ambasadori me aktakuzë i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është boshti i aferës më të madhe korruptive rajonale të tregtimit të energjisë dhe shpërlarjes së parave.”

“Pas këtyre fakteve të reja, përkundër dëshmive që i kanë dhënë në Komisionin Hetimor Parlamentar, tani po vërtetohen edhe takimet sekrete që Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar sot, kishte muaj më parë me Ambasadorin Martin Berishaj dhe tregtarë të tjerë të energjisë në Zagreb. Ftoj Prokurorinë e Kosovës dhe të gjitha organet përgjegjëse që me seriozitetin më të lartë ta procedojnë rastin e sotëm, dhe, një herë e mirë, të gjithë të përfshirët në këto skandale korruptive zingjirore t’i nxjerrin para drejtësisë”, përfundoi Krasniqi.