Kosova e para në Evropë që dëbon turqit, shteti ka kultivuar raporte të afërta me Turqinë

E publikuar: 30/03/2018 20:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Recep Tayp Erdogan ka qenë mikpritësi më i madh ndër vite për ish-kryeministrin, Presidentin aktual, Hashim Thaçi.

Të dy e kanë quajtur njëri-tjetrin vëlla në një sërë takimesh të ndërsjella, raporton KTV. Dhe, presidenti turk e ka quajtur Turqinë Kosovë e Kosovën Turqi.

Ky raport kaq i afërt i ka dhënë lirinë Turqisë që shumë herë zyrtarisht,e jo zyrtarisht të kërkojë arrestimin dhe deportimin e përkrahësve të Gulenit e kundërshtarëve të Erdoganit.

Zëri i shefit të saj të madh në Kosovë, ka shërbyer ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kilic.

Ajo ka kërkuar hetimin dhe dënimin edhe të gazetarëve Berat Buzhala e Arbana Xharra, që kishin kundërshtuar politikat e Erdoganit publikisht.

Një kërkesë e tillë nuk ishte marrë parasysh asnjëherë nga Kosova.

Por, vizita e parë e ministrit të jashtëm të ri, Behgjet Pacolli është bërë pikërisht në Turqi, në tetor 2017.

Atje ai ka takuar homologun e tij, Cavosoglu i cili i ka thënë se Turqia i ruan automatikisht interesat e Kosovës.

Aty, Pacolli ka qenë i shoqëruar, mes tjerash nga këshilltari i tij, Amir Ahmeti, një tifoz i madh i Erdoganit, dhe këshilltarja tjetër, Refiqe Tërnava, e bija e kryeimamit Naim Tërnava, që beson se Erdogani është i dërguar i Zotit.

Kërkesat e demarshet i shkojnë Ministrisë së Jashtme, por Pacolli ka mohuar të ketë ditur gjë, duke thënë se urdhri është dhënë nga shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Presioni ka ardhur vazhdimisht edhe nga zyrtarë të lartë turq që kanë zbarkuar në Prishtinë.

Kryeprokurori turk, Mehmet Akarca, ishte në Prishtinë në tetor 2017 dhe pas takimit me ministrin Abelard Tahiri, kërkoi që Kosova të arrestojë e ekstradojë kundërshtarët e Erdoganit.

Në fillim të muajit të kaluar, Bilal Uçar, zv.ministër i drejtësisë ishte për vizitë në Prishtinë, ku u takua me ministrin e Drejtësisë dhe kryeprokurorin Lumezi.

Zyrtarisht, nuk është përmendur, por raportohet që Uçar e ka vazhduar presionin për ekstradimin e gylenistëve.

Turqit në bashkëpunim me amerikanët, e kanë ndërtuar autostradën ‘Ibrahim Rugova’, e kanë blerë KEDS-in për 26 milionë, e menaxhojnë me Aeroportin e Prishtinës.

Arrestimi dhe largimi i menjëhershëm i shtetasve turq ka ndodhur të enjten paradite./koha.net/