Komunikata: Përpjekjet 100-vjeçare të PKK-së kanë çelur rrugën e drejtë për rilindjen e kombit kinez

E publikuar: 12/11/2021 10:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përpjekjet e Partisë Komuniste të Kinës në 100 vjetët e fundit “kanë ndryshuar rrënjësisht të ardhmen e popullit kinez” dhe “kanë çelur rrugën e drejtë për rilindjen e kombit kinez”, thuhet në një komunikatë të plenumit të gjashtë të Komitetit të 19-të Qendror të PKK-së, që u mbyll të enjten.

Në plenumin që nisi në Pekin të hënën, u miratua një rezolutë e rëndësishme mbi arritjet kryesore dhe përvojën historike të përpjekjeve 100-vjeçare të PKK-së. Kjo është rezoluta e tretë mbi historinë e PKK-së, pas Rezolutës për Disa Çështje të Historisë së PKK-së të vitit 1945 dhe Rezolutës për Disa Pyetje mbi Historinë e PKK- së që nga Themelimi i Republikës Popullore të Kinës të vitit 1981.

Sipas komunikatës, pasi u krijua në vitin 1921, Partia i përcaktoi lumturinë e popullit kinez dhe rilindjen e kombit kinez si misionin e saj. Në dokument përgjithësohen përpjekjet e komunistëve kinezë gjatë revolucionit të ri demokratik, revolucionit e ndërtimit socialist dhe periudhës së re të reformës e hapjes dhe të modernizimit socialist. Plenumi theksoi “përvojën e vyer historike”, që përmbledh vënien e popullit në qendër, ruajtjen e pavarësisë, këmbënguljen në vetëreformim, angazhimin për risitë etj.

Në komunikatë vihen në dukje edhe arritjet që prej Kongresit të 18-të Kombëtar të PKK-së në fusha si rritja ekonomike, thellimi i reformës e hapjes, zhvillimi i demokracisë popullore në gjithë procesin, nxitja e gjithanshme e qeverisjes sipas ligjit, përparimi në zhvillimin e gjelbër, forcimi i sigurisë kombëtare dhe promovimi i diplomacisë së vendeve të mëdha me karakteristika kineze.

“Presidenti kinez deklaroi në mitingun madhështor të zhvilluar më 1 korrik me rastin e njëqindvjetorit të PKK-së, se Kina e ka arritur objektivin e njëqindvjetorit të parë, që është ndërtimi i një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet. Tani Kina e sotme po ndjek rrugën e re drejt objektivit të njëqindvjetorit të dytë, që është ndërtimi i një vendi socialist modern në të gjitha aspektet brenda mesit të këtij shekulli,” thuhet në komunikatë.

Në plenum u miratua dhe rezoluta për organizimin e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së në gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm në Pekin.