Komuna e Prishtinës lëshoi dy herë leje për të njëjtin objekt të biznesmenit nga Tirana, i përfshirë edhe në rastin e Inspektorëve të Prishtinës (Dokument)

E publikuar: 02/11/2017 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Komuna e Prishtinës e ka pajisur dy herë me një leje të ndërtimit për të njëjtin objekte, pronarin e kompanisë “Agi Kos” për një ndërtim në lagjen “Arbëria”.
Biznesmeni nga Tirana, Gentjan Sula është pajisur me leje të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës. Leja e dyshimtë është lëshuar për ndërtimin e një objekti shumë banesorë  në lagjen “Arbëria”, shkruan lajmi.net.

Fillimisht në vitin 2015 e pastaj në vitin 2017, Zyra e urbanizmit e Komunës së Prishtinës, lëshoi leje të ndërtimit për të njëjtin objekt për investitorin “Agi Kos” që për pronarë ka Dashnor Hadrin dhe biznesmenin e njohur nga Tirana, Gentjan Sula. Herën e dytë është rritur etazhiteti i objketit, krahasuar me lejen e parë.

Lajmi.net ka gjetur se, bëhet fjalë për të njëjtin objekt i cili është i përfshirë në Gjykimin e 10 Inspektorëve të Komunës së Prishtinës.

Dashnor Hadri ka dëshmuar në Gjykatë lidhur me atë se si kishte ndodhur që inspektorët nuk kishin ndërprerë punimet e objektit të nisur pa leje ndërtimi, ndërkohe që kishin lëshuar vendim për rrënim.

Nuk është shënuar se kur ka aplikuar për këtë leje, por, leja parë është lëshuar me 23.10.2015 dhe projektues ka qenë kompania N.SH.P. “As Project”. Sipërfaqja totale ndërtimore ka qenë 3968.30m², Etazhiteti, sipas lejes së parë ka qenë B+S+P+6.

Fiks një vit ka zgjatë koha e marrjes së lejes së dytë për të njëjtin objekt. Në leje është shënuar se investitori ka aplikuar më datë 29.07.2016 dhe është pajisur me leje me datë 21.07.2017. Sipërfaqja totale ndërtimore në m²: 8,724.94m². Pagesa totale e lejes 149,019.19 euro. Etazhiteti i objektit  është 3B+S+P+7 dhe ndodhet kuadër te nënbllokut urbanistik “C 2.2.”, të tërësisë urbane “C”.

Leja e dytë është marrë sipas Plotësim ndryshimit të Planit Rregullues “Arbëria III”, i cili është miratuar në Kuvendin e Prishtinës, në vitin 2016 dhe të cilin e ka hartuar miku i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, Ilir Gjinolli me kompaninë e tij “Urban plus”. Miratimi i këtij plani në Asamble kishte rastisur të kalojë edhe më një kacafytje në mes të një pjesë të asamblistëve të opozitës dhe pushtetit, ku opozita akuzonte pushtetin se po ia përshtatë personave të caktuar planin, çka edhe kishte ndodhur një përleshje në mes të drejtorit, Liburn Aliu dhe asamblistit, Muhamet Selmani.

 

Megjithëkëtë, lajmi.net ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës dhe në kompaninë “Agi Kos” për t’u informuar se cila është arsyeja se është lëshuar dy herë leje për të njëjtin objekt dhe pse herën e dytë është rritur etazhiteti, por asnjëra palë nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Arkitekti, Valdet Osmani mendon se prokuroria duhet ta hetojë këtë rast dhe komplet planin e asaj lagjeje.

“Kur jemi te plani rregullues i Arbërisë është i kundërligjshëm dhe se prokuroria duhet ta hetojë, sepse kemi të bëjmë me keqpërdorime të detyrës dhe mashtrim të asamblistëve. Kjo sepse ligji nga viti 2013 nuk njeh plane rregulluese dhe Komuna është dashur t’i ndërpres këto kontrata te jashtëligjshme e te mos e dëmtojë Komunën, por meqenëse kontraktori ka pas lidhje familjare me kryetarin është e dyshimtë se si ju ka vazhduar kontrata. Prokuroria duhet të merret seriozisht me ketë rast!”, tha Osmani i cili është njëri ndër arkitektët më kritikë të Komunës së Prishtinës pas luftës.

“Të pandehurit Mërgim Shala, Drita Rukiqi, Ardian Muhadri dhe Vehbi Abdullahu, inspektorë të ndërtimit, përgjegjës për zonën “Arbëria” në Prishtinë, dhe të pandehurit Ismet Haliti, UD i shefit të Sektorit të Inspekcionit për Ndërtim dhe Skender Canolli, zyrtarë për përmbarim, nga data 29.05.2013 deri më 27.12.2013, nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore dhe nuk e kanë ekzekutuar vendimin për rrënim, 09 nr. 356-82553 të datës 15.08.2013, në objektin që gjendet në rrugën “Ahmet Krasniqi” duke i mundësuar investitorit “AGI KOS” me pronar Dashnor Hadri, që të vazhdoj ndërtimin e objektit kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit, dhe në këtë mënyrë të realizoj përfitim material nga shitja e banesave në shumë prej prej 432.031,00 euro”, thuhet në aktakuzën e dhjetë inspektorëve të Komunës të cilën e ka parë lajmi.net, e objekt për të cilin, leja e dytë është lëshuar para pakë javëve.

Ndërkohë ky rast është duke u gjykuar dhe biznesmeni Hadri ka dhënë dëshminë e tij edhe gjatë këtij viti.

Sipas aktakuzës “Dëshmitari Dashnor Hadri, pronar i kompanisë “Agi Kos” në procesverbalin e datës 05.08.2014 ka deklaruar se në muajin dhjetor 2012 ka aplikuar për lejen e ndërtimit për objektin banesor në lagjen Arbëria në Prishtinë dhe thotë se pasi që i është lëshuar aktvendimi për caktimin e taksave në muajin Maj 2013 i ka filluar punimet në ndërtimin e objektit kolektiv banesor meqenëse ka qenë në procedurë për lëshimin e lejes ndërtimore. Dëshmitari ka deklaruar se gjatë ndërtimit të këtij objekti ka ndodhur shembja e dheut në lagjen Arbëria ku pastaj kanë ardhur inspektorët e ndërtimit dhe kanë kërkuar nga ai ndërprerjen e punëve. Në atë kohë dëshmitari thotë se ka qenë në fazën e ndërtimit të katit të dytë të objektit, ndërsa nga Nëntori i vitit 2013 thotë se i ka ndërprerë të gjitha punimet duke pritur lëshimin e lejes së ndërtimit”.

 

Lajmi.net ka gjetur se biznesmeni Hadri ka ndërtuar pa leje në Komunën e Prishtinës dhe se emri i tij gjendet në listën e ndërtuesve pa leje në ueb-faqen e Ministrisë së Ambientit për ndërtimet e Prishtinës. Ndërtimi pa leje është në Rrugën “Isa Kastrati” dhe bëhet fjalë për objekt afarist.

Ndërkohë, bashkëpronarë i Hadrit, Gentjan Sula është nder 20 biznesmenët më të mëdhenj të Shqipërisë. Ai deri më tash ka pasur në pronësi kompaninë “AGI KONS”  dhe, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit, kjo kompani numëron të disa projekte të fituar me tender publikë në Shqipëri.  “Agi Kons”  që numëron një seri projektesh të zbatuara në Tiranë por jo vetëm, ku ndër më të njohura janë Rezidenca Kodra e Diellit 1 dhe Kodra e Diellit 2.

Ndërkohë, projekti më i famshëm i marrë me tender publik është ndërtimi i Butrintit. Emri i kësaj firme është shumë I njohur për publikun shqiptar. /Lajmi.net/

 

Leja e vitit 2015

Leja e vitit 2017