Koci thotë se drejtësia po e privilegjon Kurtin krahas qytetarëve të thjeshtë, tregon rast konkret

E publikuar: 07/05/2025 17:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati Arianit Koci ka thënë se drejtësia po e privilegjon Kurtin, duke treguar një rast konkret me kilenten e tij. Ai ka treguar se si po veprohet ndaj saj dhe se si nuk po veprohet ndaj Kurtit, në rastin e mosparaqitjes para Prokurorisë.

Sipas tij po të veprohet sikur Kurti, drejtësia do të fundosej.

E plotë:

“Drejtësi” për qytetarin, privilegj për Albin Kurtin.

Me mosparaqitjen e tij si dëshmitar, Albin Kurti nuk po i respekton rregullat që vlejnë për çdo qytetar tjetër. Situata e tillë dërgon një mesazh të qartë: ky sistem përdor standarde të dyfishta dhe duhet ndryshuar rrënjësisht.

Ndërsa Kryeministri vepron pa pasoja konkrete, qytetari i zakonshëm përballet me ndëshkim të menjëhershëm – edhe për raste që nuk kanë as bazë faktike.

Rasti i klientës sime është shembulli tipik i kësaj drejtësie të njëanshme.

Pas një aksidenti komunikacioni, në vendin e ngjarjes, ajo e pyet një polic trafiku se si kishte ndodhur ngjarja. Një police tjetër ndërhyn dhe i thotë: “S’ke ti çka pyet!”

Në diskutim e sipër, ngriten tonet.

Përfundimi? Klientja përballet me kallëzim penal – kinse për “sulm ndaj zyrtares policore”.

Policja, për ta treguar autoritetin, e keqpërdor detyrën. Bën kallëzim penal pa asnjë fakt konkret. Njëherë thotë se klientja “e ka prekur”, pastaj “e ka shtyrë”.

Por nëse vërtet do të ishte sulmuar një police në detyrë – a nuk do të arrestohej menjëherë sulumuesi/ja?

A nuk do të shoqërohej në stacion policor?

Asgjë nga këto nuk ndodhi.

Sot kemi dy hetime paralele:

– Një ndaj qytetares, për “sulm ndaj zyrtares”

– Dhe një ndaj vetë polices, për keqpërdorim të pozitës.

Kjo sjellje e zyrtarës e ka ngarkuar Policinë, Prokurorinë dhe tash edhe Inspektoratin Policor – ku klientja e ka paraqitur rastin.

Dhe pikërisht këtu zbulohet problemi thelbësor i këtij sistemi: nuk ka siguri juridike për qytetarin e Kosovës.

Aty ku nuk ka bazë – bëhen kallëzime penale.

Aty ku ka bazë – nuk veprohet fare.

Prokuroria dhe gjykatat na tregojnë përditë që nuk i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë.

Kjo nuk është më vetëm padrejtësi – është sistem që i mbyll sytë ndaj të fortit dhe reagon vetëm ndaj të dobëtit.

Mjafton të krahasohen veprimet ndaj një qytetari dhe ndaj Kryeministrit.

Paramendoni: një qytetar i zakonshëm që injoron tri ftesa të Prokurorisë për dëshmi? Qe gjashtë muaj?

Do të shoqërihej në prokurori. Me pranga në duar.

Por jo Kryeministri.

Ndaj tij, për aq sa është raportuar nga mediat, janë shqiptuar dënime me gjobë – dhe asgjë më shumë. Asnjë shoqërim me polici. Asnjë veprim procedural serioz.

Këto “masa” simbolike janë farsë.

Sepse nëse ligji nuk zbatohet për të gjithë – nuk është ligj, por mjet pushteti.

Tani imagjinoni sikur çdo dëshmitar të vepronte si Albin Kurti.

Të mos i përgjigjej Prokurorisë.

Të zvarritej çdo hetim.

Të paralizohej çdo procedurë.

Drejtësia do të fundosej.