Kica-Xhelili tregon pse votoi ndryshe nga VV për Byronë Shtetërore

E publikuar: 14/07/2022 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e shumicës parlamentare, 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës.

Njëra prej deputetëve të shumicës që abstenoi ishte Doarsa Kica-Xhelili.

Ajo në Dukagjini thotë se parimisht ka qenë pro formimit të Byrosë, por ajo thotë se ka disa shqetësime për këtë nismë.

“Unë kam qenë në takim edhe me anëtarët e Komisionit të Venecias. Edhe aty unë kam adresuar disa vërejtje. Ka pasur disa elemente në opinionin e Komisionit të Venecias që flasin se Projektligji i tillë prek disa të drejta bazë të njeriut. Pra shfaqen disa shqetësime për disa të drejta bazë të njeriut. Aty ngritën dyshime për respektimin e standardit minimal për të drejtat e njeriut”.

“Unë jam deputetet e pozitës, por ne nuk duhet ta lëshojmë standardin që kemi në Kuvend. Unë kam pritur që Projektligji të tërhiqet dhe të përpunohet në mënyrë që të merren parasysh edhe vërejtjet e Komisionit të Venecias”.

Deputetja e LVV-së thotë se ajo nuk është dakord me mënyrën se si është proceduar projektligji për Byronë Shtetërore.

“Arsyeja e vetme pse unë kam abstenuar për këtë ligj ka qenë procedura. Në parim unë nuk jam kundër Byrosë. Vazhdojë ta mbështesë këtë nismë, por nuk jam dakord me formën se si ka ardhur në Kuvend”, ka deklaruar Kica Xhelili.