Kandidati i AAK-së për Kaçanikun akuzon kryetarin nga PDK-ja se punësoi gjithë anëtarët e familjes (VIDEO)

E publikuar: 28/09/2017 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hajrush Kurtaj, kandidati për kryetar të Kaçanikut nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar kryetarin aktual nga Partia Demokratike e Kosovës, Besim Ilazin, se ka punësuara të gjithë anëtarët e familjes së tij dhe anëtarë të tjerë të partisë.

Ai ka thënë në Magazina Lokale në Klan Kosova se nga kryetari “kryesisht kanë pranuar subvencione njerëz të partisë, zyrtarë të komunës dhe janë punësuar gjithë anëtarët e familjes së tij”, njofton Klan Kosova.

“Për shembull; drejtor të klubit  të futbollit e ka vëllanë, anëtar të kryesisë e ka dhëndrin, shef të ambulantes e ka djalin e dajës, më pas kryetari i rinisë së PDK-së i ka punësuar gjashtë familjarë”, ka deklaruar Kurtaj.

“E ka emëruar axhën drejtor, ia kanë kthyer, por më pas e ka emëruar ushtrues detyre. Vëllai tij e ka shkatërruar sportin, për gjashtë muaj vetëm nga 50 euro ua jep sportistëve”.

Ilazi është mbrojtur duke mos mohuar se disa nga anëtarët e familjes së tij janë të punësuar, porse ai ka thënë se të gjithë të punësuarit e familjes janë punësuar me kritere dhe kanë plotësuar kushtet.