Ka marrë fund, Sllobodan!

E publikuar: 22/07/2015 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fadil Lepaja
Bashkëbiseduesi im, Sllobodan Antoniq, është njëri nga ideologët e mendimit të ri politik serb, si e quajnë veten disa autorë të cilët me vite artikulojnë idetë e tyre rreth webfaqes së tyre me të njëjtin emër. Ky është shkrimi i nëntë me radhë, të cilin po e shkruaj si përmbledhje të një debati të cilin po e zhvillojmë me të, rreth një teme e cila nuk është e përcaktuar qartë, por gjithsesi ka të bëjë me marrëdhëniet shqiptaro-serbe, dhe me theks të veçantë rreth nyjës politike të lidhur keq, pikërisht në pjesën veriore të Kosovës.

Antoniq është autor i rregullt i kolumneve ku e trajton çështjen serbe në Ballkan, e sidomos është kritik ndaj politikës proeuropiane të qeveritarëve serbë, e madje edhe duke sfiduar opinionin me qasje origjinale ndaj vetë së kaluarës së afërt për të cilën kreu politik e ushtarak serb u ul në bankën e të akuzuarve për krime lufte, në Hagë, ku ata që mbijetuan gjykimet maratonike morën dënime shumëvjeçare me burg dhe njollën edhe formale të kriminelëve mbi vete. Por, ai nuk mendon se udhëheqja serbe dhe shteti serb kanë bërë krime që meritojnë gjykimin ndërkombëtar, ose së paku nuk gjen kurajë intelektuale për me e thënë këtë. Ai nuk mendon se kërkimfalja është obligim civilizues i intelektualëve serbë e madje as e politikës serbe.

Së fundmi, ai botoi një libër me titull “Millosheviq – ende nuk ka përfunduar…”, ku sipas komentuesve, ai gjen më shumë pika të përbashkëta me atë që bota e qytetëruar e njohin si “Kasapi i Ballkanit” sesa me reformatorët dhe proeuropianët që sot, sipas tij, e drejtojnë më keq Serbinë.

Tash, lidhur me debatin…

“Ai që kërkon moral në politikë, le ta kërkoj te MRPS”. Ky do të ishte slogani i përshtatur në shqip, i mediumit të nacionalistëve të rinj serbë dhe kjo MRPS paraqet shkurtesën e përshtatur për mendimin e ri politik serb. Në anën e djathtë të kësaj web faqeje do të gjeni një hartë lëvizëse, të Serbisë së dikurshme, një hartë e vetë(ç)montueshme në të cilën fillojnë një nga një të shkëputen pjesë, duke filluar me Kosovën, Sanxhakun, Vojvodinën…! Pastaj shfaqet një vërejtje në formë alarmi: “Kjo është serioze” dhe pretendohet se kjo nuk do të lejohet.

Aty, ditëve të fundit gjejmë edhe një anketë, ku lexuesi pyetet se a e përkrah vizitën e kryeministrit të Serbisë, Vuçiq, në Srebrenicë. Pasi, si një lexues i rregullt përgjatë shumë viteve, votova për “po”, hapa skemën për të parë se si kanë votuar të tjerët. Rezultati është befasues vetëm për ata që nuk e njohin këtë frymë të nacionalizmit të ri serb, që mblidhet rreth këtij mediumi dhe është e vështirë të nxirret një përfundim se çka e bën këtë mendim politik serb, të ri?

Pra, 89,7 për qind ose gjithsej 1573 veta votuan kundër. Ndërkaq, vetëm 141 veta ose vetëm 8 për qind prej votuesve mendojnë se kryeministri serb duhet të shkojë dhe të përkulet para viktimave civile boshnjake të vrara nga nacionalistët serbë në Srebrenicë, një luftë kjo për territore që u ideua nga mendimi i “vjetër” politik serb i përmbledhur në “memorandumin” e famshëm të ASSHA.

Rastisi që një portal serb nga pjesa veriore e Kosovës, me emrin “kossev.info”, të fillojnë një rubrikë me titull “Nga ana tjetër e barrikadës”, me qëllim që të dëgjohen argumentet, të pacensuruara, nga të dyja anët dhe mbase edhe të fitohet ndonjë ide se si të dilet nga ky rreth-rrotullim ku është futur dialogu shqiptaro-serb, nga i cili përpos se qytetarëve po u merren mentë, ende nuk ka arritur të ofrojë ndonjë dalje nga kjo gjendje kur e kaluara e mban peng të ardhmen. Për këtë guxim, ata u “shpërblyen” me një breshëri plumbash në dritaret e redaksisë.

Kështu, jo pa kureshtje e fillova debatin me idenë e një katarsisi serb, njëlloj reflektimi për viktimat civile, posaçërisht në Kosovë, dhe doja të dëgjoja së paku një dhembje njerëzore individuale, nga një intelektual serb, çka do të na jepte një pikë takimi, në mos jo në rrafshin politik, atëherë së paku në atë njerëzor. Sinqerisht, i bindur se fati i viktimave civile të luftës duhet të zbardhet dhe kriminelët duhet të dënohen pavarësisht prej përkatësisë nacionale të tyre, nuk e kisha aspak të vështirë që bashkë me krimet ndaj civilëve shqiptarë të theksoj të vërtetën e hidhur të hakmarrjes e cila, edhe këndej “barrikadës”, pas lufte rezultoi me disa qindra civilë serbë të zhdukur dhe se kjo nuk mund të arsyetohet me asnjë qëllim nacional apo shtetëror. Mua më mjaftonte të dëgjoja nga z. Antoniq se këto krime ndaj civilëve shqiptarë ishin kryer nga një pushtet i papërgjegjshëm dhe se shfarosja fizike e qytetarëve joserbë nuk është qëllimi dhe angazhimi i nacionalistëve të rinj serbë, por nuk arrita të dëgjoj asgjë të tillë, përpos një debati ofendues që i kontestonte numrat, thuajse kjo e bën krimin më pak krim.

Duke pasur me qindra e mijëra fakte e argumente se krimi ndaj civilëve dhe pastrimi etnik në vazhdimësi ishte instrument i shtetit serb që nga pavarësia e Serbisë e këndej, nuk prisja që një nacionalist serb ta pranonte këtë fakt, por si intelektual prisja një mospajtim njerëzor me krimet mbi popullatën civile.

Po ashtu, debat me një fjalor politik tashmë të harruar, u zhvillua edhe për, siç thotë profesori Antoniq, “imperialistët” dhe “kolonizatorët” evropianë dhe amerikanë, të cilët, sipas tij, nuk kanë qëllime të mira ndaj popujve të Ballkanit, porse kanë ardhur për të na përçarë dhe për të na shfrytëzuar. Konceptet antiglobaliste e pse jo edhe antievropiane të nacionalistëve të rinj serbë, ende vlojnë me terma mesjetarë dhe çuditërisht edhe staliniste edhe pse, sipas rregullit, deklarohen të djathtë. Nacionalistët e rinj serbë e konsiderojnë lirinë e shqiptarëve të pamerituar, sepse këtë na e paskan sjellë “imperialistët” dhe “kolonizatorët” e rinj.

Një debat, përplot dredhi të vogla dhe gracka retorike, u zhvillua edhe rreth të drejtave të pakicës serbe në Kosovë. Bashkëbiseduesi i nderuar, i qasej këtij problemi, sikur një operacioni lokal, pak a shumë sikur të bëhej fjalë për një operim të zorrës qorre, pjesë kjo, e cila pas një evolucioni të gjatë, apo me vullnetin e krijuesit ka mbetur pa funksione për organizmin, por që nëse komplikohet, krijon telashe të mëdha. Unë këtë çështje nuk e shoh si problem lokal, as si operim të zorrës qorre, por si një çështje parimore, si çështje të lirisë. Por, kjo nuk i mjafton bashkëbiseduesit tim, sepse ai do një autonomi së paku aq sa e “kishin pas shqiptarët” dikur në Serbi, duke asociuar se përkundër tyre, serbëve do t’u mjaftonte kjo.

Duke ikur nga debati për të drejtat identike që do të duhej të kenë edhe pakicat në Serbi, z. Antoniq zgjedh sulmin spekulativ si mbrojtje duke akuzuar se po i kushtëzoj të drejtat serbe me të drejtat shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por, më shumë për këtë, mund të lexoni në 17 shkrimet e deritashme.

Dallimi është i pakapërcyeshëm, fatkeqësisht, Aty ku z. Antoniq, nga ana tjetër e barrikadës, sheh problem, unë shoh mundësi. Serbët e Kosovës munden dhe duhen të jenë urë bashkëpunimi dhe shtyllë e marrëdhënieve të reja, evropiane, të serbëve dhe shqiptarëve të liruar nga ëndrrat mesjetare për territore, dhe të përqendruar në një zhvillim të shpejtuar ekonomik dhe shoqëror, përfshi liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit.

Kjo do të shërbente, si shembull, për zgjidhjen e nyjeve të tjera të ngjashme në regjion, si në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak, për shembull. Por z. Antoniq mendon se të drejtat e serbëve në Kosovë nuk kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Pra nuk e pëlqen fjalën reciprocitet dhe është i gatshëm të ndërrojë temë dhe të akuzojë për gjithçka vetëm të mos flas për këtë, gjithnjë me gjasë nën frikën e asaj hartës që e përmendëm në fillim, e cila e shpërbën Serbinë çfarë ata e kanë projektuar, varësisht prej koniunkturave të shekujve XIX dhe XX.

Duke qenë i bindur se interesat strategjike të qytetërimit shqiptar, i cili mbijetoi nën disa imperi përgjatë mileniumeve, janë kompatibile me proceset integruese evropiane, dhe se kanë kapacitete që të ndërmjetësojnë në mes popujve dhe civilizimeve të ndryshme që janë takuar historikisht në Ballkan dhe atë falë bashkëjetesës të dallimeve brenda vetë qenies shqiptare, mendoj se është mision historik i qytetërimit shqiptar që të krijojmë ura afrimi dhe pajtimi në regjion, duke u nisur nga vlera universale si jeta, liria dhe dinjiteti i pacenueshëm i qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe duke siguruar zhvillim të papenguar të identitetit të tyre, në cilado fusha që ata e konsiderojnë të rëndësishme për qenien e vet.

Strategjia e antiglobalizmit është antihistorike dhe krijon mure, rrënon ura dhe ringjall ideologji dhe paradigma mesjetare të cilat qytetarin e shohin si instrument të oligarkëve lokalë apo regjionalë dhe synojnë që krizën e përhershme ta shndërrojnë në biznesin e tyre kryesor.

Në fund të kësaj përmbledhjeje të debatit të deritanishëm, edhe dy fjalë për një ide të cilën e propozova për zotin Antoniq, të cilit i kërkova të aktualizojë një nismë për një përmendore, në formë të autofrigoriferit, në vendin nga i cili lumi Danub e nxori në sipërfaqe një kamion frigorifer të mbushur përplot me civilë të vrarë shqiptarë në luftën e Kosovës. Kjo do t’u shërbente gjeneratave të reja serbe të kuptojnë se çfarë ishte bërë në emër të tyre.

Duke harruar se nuk e pëlqen fjalën reciprocitet bashkëbiseduesi im propozon që diçka e ngjashme të ngrihet në Kosovë për krimet ndaj serbëve, duke përmendur krimet në Kleqkë, “Shtëpinë e verdhë” dhe vrasjen e disa fëmijëve serbë të cilët po laheshin në lum. Derisa krimet në Kleqkë dhe ato rreth “shtëpisë së verdhë” ende nuk janë dokumentuar se kanë ekzistuar apo jo, vrasja e fëmijëve serbë është një krim i tmerrshëm, dhe i turpshëm, për të cilët ende nuk dihet se kush i ka bërë. Ka media serbe, të cilat “spekulojnë” se të rinjtë serbë janë ekzekutuar me urdhër të përgjegjësve serbë, të sektorëve për operacione speciale të shërbimeve sekrete serbe, dhe krejt kjo me qëllim që të rrënohet imazhi i Kosovës dhe të rrënohet “miti” ndërkombëtar për kriminelët serbë dhe viktimat shqiptare.

Pavarësisht se kush e ka bërë këtë krim monstruoz, dhe pavarësisht motiveve, pajtohem me z. Antoniq, se edhe aty duhet të ngrihet një përmendore që do të kujtonte gjeneratat se kishte të çmendur, të cilët mendonin dhe mbase mendojnë ende se qëllimi i arsyeton mjetet. Ndoshta edhe aty ku gjatë luftës u gjet bashkë me viktimat e tjera civile edhe një foshnjë me cucëll mashtruese në gojë dhe me plumb në ballë. Pavarësisht se ishte shqiptare. Përmendore duhet të ngrihet edhe në Shkup, ku dikush për motive prej monstrumësh mendoi se duke vrarë fëmijë, mund të dërgohen mesazhe politike. Pavarësisht se kush e ka bërë këtë çmenduri, për çka koha do të nxjerrë padyshim edhe autorët e vërtetë, kur të ketë heshtur makineria propaganduese, ky është një krim që meriton të kujtohet përjetë dhe të gjithë të kujdesen që të mos përsëritet. Civilët, e vrarë janë heronjtë e kohës sonë, e jo uniformat që vrasin civil, pavarësisht interesave “të mëdha”

Pajtohem, që kudo që kishte krime mbi civilët të ngrihen përmendore për të mos i harruar, dhe për të mos u përsëritur.

Edhe njëherë për titullin e frikshëm të librit më të ri të bashkëbisedusit tim serb! Ai thotë: “Millosheviq, ende nuk ka përfunduar”!

Ka përfunduar, Sllobodan!