Jevtiq: S’e votojmë Ushtrinë e Kosovës, AKS në vitin e ardhshëm

E publikuar: 02/10/2017 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar se pret që Asociacioni i Komunave serbe të krijohet gjatë vitit 2018 ndërsa ka shtuar se Lista Srpska nuk do të votojë për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka theksuar se AKS nuk ka qenë temë e marrëveshjes rreth hyrjes së Listës Srpska në Qeverinë e koalicionit dhe kjo nuk mund të jetë sepse ky është detyrim ndërkombëtar i Prishtinës dhe kështu duhet të mbetet.

“Ne kërkojmë garanci nga Brukseli dhe insistojmë brenda Qeverisë së Kosovës, ashtu si kemi bërë kur kërkuam që në programin e Qeverisë të gjendet kjo çështje, përkatësisht që Asociacioni… të krijohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel” , citon insajder të ketë thënë Jevtiq.

Ai ka theksuar se Lista Srpska nuk do të votojë për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

“Megjithatë, FSK edhe tash në një mënyrë, ka kompetenca ushtrie, vetëm se nuk e quajnë ashtu. Ka armatim e formacione, e edhe një numër i serbëve gjendet në ato formacione “, ka thënë Jevtiq.